Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të hënën, ka shqiptuar dënim me nga 200 euro gjobë, ndaj të akuzuarve për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, Hysni Dragaqina, Alban Dragaqina dhe Arben Dragaqina.
Shpalljen e këtij aktgjykimi e ka bërë gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, sipas të cilit dënimi me gjobë do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor, secili veç e veç, të paguajë shumën me nga 200 euro si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të paguajë shumën prej 30 euro.
Ndaj të akuzuarve, po ashtu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ku do të bëhet konfiskimi i armës me gaz dhe një karikator.
Të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 16 gusht 2019, e kishin pranuar fajësinë, ku me këtë pranim fajësie ishte pajtuar edhe prokurorja Arbresha Shala, pasi sipas saj, është bërë në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit më 4 gusht 2016, në fshatin Bujan, Komuna e Lipjanit, në ahengun familjar në shtëpinë e tyre, ku ka pasur shumë persona, kanë shtënë me armë në ajër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i parë, Heset Dragaqina ka shtënë me armë dy herë në ajër dhe të akuzuarit e tjerë, Alban e Arben Drgaqina, kanë shtënë me armë nga njëherë në ajër, ku të gjithë kanë shtënë me armë me gazë të tipit “Taurus – Kurtulus”, dhe në vendin e ngjarjes është gjetur një karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë e kësaj arme, të cilat janë konfiskuar nga zyrtarët policor.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen se secili veç e veç, e ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par 1 lidhur me par 3 të KPRK-së, ku pas rikualifikimit, ata akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Poashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Heset Dragaqina, nga data e pacaktuar e deri më 4 gusht 2016, në shtëpinë e tij, në fshatin Bujan, ka mbajtur në pronësi kontroll, në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët e tilla, ku në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë e kësaj arme të cilat janë gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.
E sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Heset Dragaqina po akuzohet se me këto veprime e ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi , kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi