Në ambientet e Federatës së Basketbollit të Kosovës sot është nënshkruar kontrata ndërmjet kryetarit të FBK-së Arben Fetahut dhe ushtruesit të detyrës së kryetarit të Sigal Prishtinës Blerand Stavileci për organizimin e Superkupës së Kosovës në basketboll në kryeqytet.
Si Fetahu ashtu edhe Stavileci u shprehën të bindur se ky kompeticion do të jetë shumë madhështor dhe se organizimi i saj do të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u siguruar që adhuruesit e basketbollit në Kosovë ta shijojnë në maksimum.
I pari i FBK-së deklaroi në konferencë se Kupa e Kosovës do të ofrojë spektakël basketbollistik gjatë ditëve sa do të zhvillohet kjo garë.
Fetahu: Do të kemi spektakël basketbollistik në Superkupë.
“Këtë garë prestigjoze sivjet do ta organizojmë në Prishtinë bashkarisht nën organizimin e klubit të basketbollit Sigal Prishtina. Pas shumë vitesh rikthehemi sërish në Prishtinë me një organizim madhor dhe kjo e ka bërë Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe bordin e saj shumë të lumtur që do ta kemi një event madhor në Prishtinë. Këto ditë të garës, kur do të marrin pjesë të gjitha ekipet e Superligës, do ta nxjerrim fituesin e Superkupës së Kosovës për këtë vit dhe jam i bindur që do të kemi spektakël sportiv e basketbollistik gjatë këtyre ditëve.”, tha Fetahu.
Ai më tutje shtoi se veçantia e kësaj gare është fakti se atë nga tribunat do të mnd ta ndjekin tifozët e të gjitha skuadrave pjesëmarrëse.
Fetahu: Kupa e Kosovës zhvillohet me praninë e tifozëve.
“Ajo që e veçanton këtë aktivitet është fakti që në këtë aktivitet është e lejuar edhe prania e tifozëve edhe shpresoj që ta kemi këtë aktivitet si monstër, si shembull të mirë të organizimit edhe të sjellës së tyre në mënyrë që të jemi në gjendje që për vijimin e stinorit të sivjetmë ta rishikojmë vendimin e bordit të federatës për praninë e tifozëve mysafir në ndeshjet e organizuara gjatë ligës.”, tha Fetahu.
Ndërsa, u.d i kryetarit të Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci theksoi se klubi është duke i bërë të gjitha punët e nevojshme dhe përgatitjet në mënyrë që ky event të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se tifozëve t’iu sigurohet siguri maksimale gjatë gjithë kompeticionit.
Stavileci: Do ta bëjmë një organizim me të cilin do të krenohet Kosova
“Klubi i Basketbollit Sigal Priahtina me gjithë efektivin e vet në dispozicion bashkë edhe me organizatorët e këtij eventi…shumë ditë më herët ka nisur përgatitjet, ka ideuar dhe konceptuar ato çfarë duhet të bëhet dhe mund ta themi me gojën plot, nuk po e them atë që zakonisht thuhet në këto evente që do ta bëjmë një diçka që asnjëherë nuk është parë në Kosovë. Unë po e them që do ta bëjmë një diçka me të cilën do të krenohet e tërë Kosova dhe do të jetë një reklamè jo vetëm për basketbollin por edhe për sportin dhe cilido qytetar që do të vie në Prishtinë për t’i përcjellë ndeshjet e klubit të vet të zemrës sepse tani i kemi tetë të tilla dhe përveç kësaj i kemi edhe tifozeritë, tifo-grupet e pranishme ne do të mundohemi që në maksimum të mos e lëmë në asnjë kuptim, pra as në atë të sigurisë bashkë me policinë e Kosovës dhe të tjerët që mos të ketë as ekcesin më të vogël në mënyrë që me të vërtëtë aty të kënaqen, të argëtohen, të socializohen.”, tha Stavileci.
Në Superkupë do të marrin pjesë tetë skuadrat e Superligës së Kosovës ndërsa gara do të zhvillohet nga 7 deri më 11 dhjetor 2022. /TV Malisheva