Shkruan: Arbërorët e Maqedonisë
Nëse godasim turqit, nuk po godasim Islamin;
Nëse godasim grekët e serbët, nuk po godasim Ortodoksizmin;
Nëse godasim italianët, nuk po godasim Katolicizmin.
Feja islame nuk është e arabëve apo turqve, por për tërë njerëzimin;
Feja ortodokse nuk është e grekëve apo serbëve, por për tërë njerëzimin;
Feja katolike nuk është e italianëve, por për tërë njerëzimin.
Shkurt e shqip, fetë janë universale, për të gjithë, dhe monopol i askujt.
Ne e duam Islamin, por jo Islamin turk;
Ne e duam Ortodoksizmin, por jo Ortodoksizmin sllav;
Ne e duam Katolicizmin, por jo Katolicizmin latin.
Ne nuk duam agjendat turke, sllave dhe latine që përdorin fenë si kartë për të arritur qëllimet e tyre politike. Idesë së ndarjes, përçarjes, copëtimit tonë, i buzëqeshin dhe duartrokasin vetëm të lartëpërmendurit. Prandaj, le të jemi një grusht i shtrënguar ndaj tyre.
Aleancat me cilindo shtet nuk krijojnë vëllazëri. Fundja, aleancë edhe me dreqin për të mirën e mëmëdheut: ‘ortak’ po, ‘çirak’ jo. Le të jemi secili zot në vend të vetë! Për shqiptarin e vërtetë e të gdhendur, ka rëndësi esenca mbi të cilin u krijua ky komb: shqiptari ka vëlla vetëm shqiptarin, feja e shqiptarit është shqiptaria. Ai që nuk e kupton, madje nuk do që ta kuptojë, e jeta i ka shkuar në mjerim, ndërkohë që ndjehet i rehatuar me paditurinë e tij, duke qenë me një këmbë nën tokë dhe një këmbë mbi të, para se të abonohet përjetësisht në platformën “FENOMENI VDEKJA”, le t’ia shkruaj vetes në ballë: “MË GODIT TË LUTEM!”
Ende nuk e kemi kuptuar që feja nuk etnizohet? Nuk ka Zot që është arabocentrik, turkocentrik, serbocentrik apo grekocentrik! Ata që e trumbetojnë këtë ide fashiste, janë shtetet e caktuara që luajnë në kartë të fesë duke e etnizuar dhe manipuluar me të. Ata, qoftë në xhamia apo kisha, nëpërmjet disa klerikëve fetarë si marioneta të tyre, munden shumë lehtë të manipulojnë me masën e paditur duke e futur në Mitin e Shpellës. Për të tillët, Çerçiz Topulli thoshte: “Agjentë të fshehur pas petkut fetar.” Por, le të jemi ne dielli që lëshon rrezet e diturisë që nuk i shohin ata që janë brenda shpellës së paditurisë.
Ne po themi nuk duam turqizim, greqizim, serbizim, latinizim, cili është halli i juaj? Për dallim nga të gjithë të tjerët, për ne shqiptarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, dielli ngrohë vetëm shqip!
Feja është besim dhe tejet ndjesi individuale. Po kështu, cili do prej nesh mund të besojë në cilën do fe apo të mos besojë, por fundja ne mbetemi shqiptarë. Të gjithë kemi një Zot mbi kokë, një gjuhë, një kulturë, një traditë, një histori, një gjak, një atdhe.
Shqiptarët gjithmonë kanë jetuar në harmoni mes vete, kanë luftuar bashkë edhe pse ishin me fe të ndryshme. Kjo është një pasuri vetëm e popullit shqiptar. Ky popull që mbijetoi me mijëra vite, pushtime pas pushtimesh dhe me kokëfortësi nuk përfilli as perandor e as mbret, popull si ky që bëri bashkë hoxhë e prift, popull si ky që çdo herë që u rrëzua nuk u dorëzua, dhimbjen e shndërroi në forcë dhe me pak zë që i mbeti, e ngriti flamurin në majet më të larta dhe botës i tha: UNË JAM SHQIPTAR!
Askush mbi Zotin, asgjë para Shqipërisë.🇦🇱

Share.