Ka filluar organizimi i Këshillave Lokal në territorin e Komunës së Malishevës, bazuar në rregulloren për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Mbrëmë janë mbajtur zgjedhjet në Këshillin Lokal të fshatrave Astrazup dhe Burim, ku është zgjedhur kryesia, kryetari dhe nënkryetari i këtij Këshilli.

Zgjedhja apo formimi i  Këshillave Lokal, organizohet nga komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës së Malishevës, bazuar në rregulloren komunale, që e rregullon formimin e këshillave lokal. Ky komision përbëhet nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevë, sipas përfaqësimit politik në Kuvend, një anëtar  nga Zyra e Kryetarit të Komunës dhe një anëtar nga shoqëria civile.

Kuvendi i Këshillit Lokal për Astrazup dhe Burim, ku ishin të pranishëm 102 anëtar të Kuvendit, e kanë zgjedhur kryesinë e këshillit të tyre, që përbëhet nga nëntë anëtarë, ku gjashtë anëtarë janë nga fshati Astrazup dhe tre nga fshati Burim, ndërsa kryesia e ka zgjedhur për kryetar të këshillit, Nuredin Morinën (Astrazup) dhe nënkryetar Gëzim Krasniqin.

/TV Malisheva

 

Share.