Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se përveç pakos emergjente që është ndarë për klubet për t’i ndihmuar gjatë periudhës së krizës të shkaktuar nga koronavirusi, një pako e veçantë është ndarë edhe për shkollat e futbollit.
Po ashtu FFK-ja ka njoftuar që ka liruar klubet nga të gjitha pagesat deri në fund të stinorit, përveç dënimeve të cilat nuk do të falen.
“FFK njofton se përveç pakos emergjente që i është dhënë klubeve, një pako e veçantë do të jepet edhe për shkollat e futbollit. Po ashtu përveç mjeteve financiare, FFK i ka liruar klubet nga të gjitha pagesat e tjera deri në fund të edicionit, përveç dënimeve të cilat nuk do të falen”, është thënë nga FFK-ja.
Ajo po ashtu ka publikuar marrëveshjet e arritura gjatë tremujorëshit të parë e po ashtu projektet e parapara dhe të filluara gjatë këtij viti. E po ashtu janë publikuar tabelat se sa mjete financiare kanë përfituar klubet gjatë tremujorit.
Marrëveshjet e arritura:
-Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Kosovës.
-Është nënshkruar marrëveshja me Federatën e Futbollit të Katarit, e cila ka për qëllim shfrytëzimin e këtij vendi për përgatitjen e ekipeve kombëtare, por eventualisht edhe shërimin e pjesëtarëve të ekipeve kombëtare në spitalet e atjeshme. Po ashtu, në marrëveshje janë të përfshira edhe shumë fusha tjera të cilat Federata e Katarit me një buxhet të pasur është e gatshme të japë kontributin e saj.
-Është arritur marrëveshja me Unionin e Biznesmenëve Shqiptar në Gjermani për sponsorizim në destinacione të cilat i ka paraparë FFK-ja, me theks të veçantë në riorganizimin e shkollave të futbollit dhe të infrastrukturës së tyre.
-Është realizuar pjesa e parë e marrëveshjes me Federatën norvegjeze për edukimin e kuadrove të futbollit të femrave dhe për avancim të futbollit të kësaj kategorie.
-Është arritur marrëveshja me Komunën e Prishtinës për Kampin Edukativ të Hajvalisë dhe stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për ta ndjekur kumtesën e plotë mund ta bëni direkt në sajtin zyrtar të FFK-së. / Tv Malisheva