Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku të premten kanë marrë pjesë në një takim të organizuar nga FIBA në formë të videokonferencës.

Në këtë takim FIBA-n e kanë përfaqësuar Radmila Turner, përgjegjëse për Federatat Nacionale nga FIBA Europe, Florian Pasquet, përgjegjës për zhvillimin e Federatave Nacionale nga FIBA, Geoff Wilson, ekspert i jashtëm i angazhuar nga FIBA për asistencë Federatave anëtare të FIBA-s në hartimin e planeve strategjike/planeve operacionale dhe Jeongmi Gwak, zyrtare nga FIBA për Federatat Nacionale.

Tema e takimit ka qenë asistenca që FIBA mund t’ia ofrojë FBK-së në hartimin e Planit Strategjik 2021-2025.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu e prezantoi para zyrtarëve të FIBA-s punën që FBK-ja e ka nisur së bashku me Grupin e Punës të emëruar nga Bordi, në të cilin janë përfshirë të gjitha palët e interesit të FBK-së.

Arben Fetahu, kryetar i FBK-së, u shpreh shumë i lumtur dhe tregoi më shumë detaje rreth

“Ishte takim shumë i frytshëm dhe shumë i mirëseardhur. Ne patëm rastin të prezantojmë para FIBA-s arsyen pse kemi vendosur të fillojmë punën në hartimin e planit strategjik. Ne i informuam zyrtarët e FIBA-s se askush nuk na ka shtyrë apo nuk ka kërkuar nga ne që ta hartojmë planin strategjik, por ka qenë vetë FBK-ja që e ka kuptuar se, ka nevojë për një plan strategjik, duke marr parasysh zhvillimet e mëdha që i ka përjetuar Federata në disa vitet e fundit”.

“Ne jemi të vendosur që FBK-në, por edhe gjithë basketbollin kosovar ta çojmë në një nivel tjetër dhe për ta bërë këtë na duhet një plan strategjik, por edhe që do të implementohet. Tanimë jemi të vendosur të punojmë në këtë drejtim pavarësisht sfidave me të cilat duhet të përballemi gjatë procesit të përgatitjes së këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për FBK-në dhe komunitetin e basketbollit”.

Për këtë arsye ne kemi vendosur që këtë informatë ta ndajmë me FIBA-n, por në të njëjtën kohë edhe të kërkojmë asistencë në aspektin e ekspertit të jashtëm, gjë e cila është pranuar me kënaqësi nga FIBA dhe tani na mbetet të punojmë me përkushtim të madh së bashku me Grupin e Punës dhe ekspertin e jashtëm në mënyrë që të hartojmë një plan, i cili do t’i shërbejë gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë”, përfundoi Fetahu.

Elvira Dushku, Sekretare e përgjithshme e FBK-së, tha se FBK është me fat që FIBA do të asistoj në këtë projekt.

“Bëhet fjalë për Geoff Wilson, i cili është ekspert i jashtëm i angazhuar nga FIBA për asistencë Federatave anëtare të FIBA-s në hartimin e planeve strategjike dhe planeve operacionale. Krahas FIBA-s, Wilson bashkëpunon edhe me institucione të tjera sportive të rëndësishme nëpër botë si FIFA dhe UEFA, ndërsa unë kam pasur rastin ta kem në rolin e profesorit në edukimin të cilin unë e kam përfunduar në kuadër të FIBA-s në vitin 2018, FIBA TIME-OUT Program. Mund të thuhet lirisht se është ndër më të mirët në fushën e tij dhe ne jemi me fat që ai do të na asistojë në hartimin e planit strategjik të FBK-së, që është një prej projekteve më të mëdha që FBK do të hartojë, por edhe do të implementoj në vitet në vazhdim”, përfundoi ajo./ Tv Malisheva

Share.