Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu më 29 Prill në ora 10:00 do të marrë pjesë në videokonferencën e ftuar nga Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel dhe zëvendëspresidenti John Goncalves.
Qëllimi i organizimit të kësaj videokonference është të bëhet vlerësimi i situatës aktuale që i ka prekur të gjitha Federatat Nacionale të Evropës si rezultat i krizës COVID-19, si dhe të diskutohet për ndihmën potenciale që mund të ofrojë FIBA Evropa.
Secili Kryetar i Federatës do të prezantojë informatat e tyre për atë se si ka ndikuar pandemia COVID-19 në shtetin e tyre dhe në Federatën që ata e drejtojnë.
Duhet theksuar se, së fundi Bordi i FIBA Evropës për shkak të pandemisë COVID-19 i ka anuluar të gjitha eventet e verës, duke përfshirë këtu edhe FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni C që ka qenë në program prej 11 deri më 19 Korrik 2020 në Prishtinë./ Tv Malisheva