Në ditët në vazhdim në konton e Federatës së Futbollit të Kosovës pritet të barten 462 mijë euro që FIFA i ka ndarë të premten.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar se ka ndarë 138 milionë euro për të përkrahur federatat nacionale anëtare të saj. FIFA ka saktësuar se secila federatë nacionale do të mbështetet me nga 500 mijë dollarë (462 mijë euro).

Prej fondit që FIFA e ka ndarë për FFK-në, megjithatë nuk pritet të përfitojnë klubet e futbollit në vend.

Kohë më parë FFK-ja ka përkrahur lojtarët e të gjitha klubeve e po ashtu arbitrat, delegatët dhe shkollat e futbollit. Lojtarët ende janë duke marrë ndihmën e FFK-së. Klubet e Superligës janë mbështetur për 35 persona secili klub, me shumën prej 350 euro për kokë. Disa klube nuk e kanë vlerësuar përkrahjen të mjaftueshme.

“FIFA ka ndarë nga 500 mijë dollarë për federatat nacionale. Këto para do të shfrytëzohen për të mbuluar shpenzimet e federatës që janë jashtëzakonisht të mëdha. I kemi mbi 30 trajnerë të ekipeve kombëtare që paguhen në baza të rregullta. Po ashtu i kemi mbi 30 persona në administratën qendrore dhe mbi 20 në lidhjet rajonale. Kemi komisione të ndryshme dhe shpenzime tjera që janë shumë të mëdha”, ka thënë për Koha.net, Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së.

Në FFK vlerësojnë se kanë dhënë mjaftueshëm për klube. Jozyrtarisht është thënë se FFK-ja për klube ka ndarë tashmë më tepër se që pranon mjete nga FIFA në bazë të vendimit të së premtes. Por FIFA ka njoftuar se do të ndajë sërish mjete për federatat nacionale.

“Këto mjete që i marrim nga FIFA do të jenë për të mbuluar shpenzimet e Federatës. Ndërkohë nëse marrim mjete nga MKRS-ja, që pritet, të gjitha do të ndahen për klube. Kjo është ideja e Komitetit Ekzekutiv”, ka theksuar Salihu.

Share.