Malishevë, 3 tetor
Sot në fshatin Dragobil të Malishevës, ka filluar ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Emin Duraku”. Ndërtimi i këtij objekti shkollor u tha se ishte tepër i nevojshëm dhe i merituar për nxënësit e kësaj shkolle, ku mësimin e zhvillojnë nxënësit e fshatrave Dragobil, Maxharrë dhe një pjesë e fshatit Astrazup.
Në ceremoninë e vënies së gurthemlit morën pjesë, i pari i Malishevës, Ragip Begaj, zëvendësministri në detyrë i MASHT-it, Eset Sahiti, deputetët dhe ish deputetët Enver Hoti dhe Shukrije Bytyçi, zëvendësministri në detyrë i MKRS-së, Rexhep Mazreku, drejtori i Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, drejtor komunal të Malishevës, banorë të fshatit Dragobil, mësues dhe veteran të arsimit nga kjo shkollë dhe nxënësit.
“Sot po fillojmë ndërtimin e një shkolle shumë të mirë, me standarde dhe moderne. Jo vetëm kjo shkollë, por të gjitha shkollat do të ndërtohen me standarde, sikur kjo që sot po fillojmë”, tha mes tjerash në fjalën tij, zëvendësministri në detyrë i MASHT-it, Eset Sahiti.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, duke marrë fjalën në këtë ceremoni, tha se “Dragobili e meriton këtë shkollë moderne, pasi edhe si fshat keni dhënë shumë për vendin dhe për arsimin, por edhe nxënësit e kësaj shkolle, kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme. Tani, ju mësimdhënës dhe nxënës, do të keni kushte më të mira për mësim, por edhe do të keni cilësi. Juve nxënës ju uroj suksese dhe rezultate në mësime, sikur keni treguar gjithmonë”.
Për shkollën dhe rëndësinë e ndërtimit të shkollës, foli edhe drejtori i kësaj shkolle, Arianit Paçarizi, i cili edhe i falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës.
Gurthemelin e ndërtimit të objektit të ri të shkollës, e kanë vënë, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zëvendësministri i MASHT-it, Eset Sahiti, deputeti Enver Hoti, drejtori i shkollës, Arianit Paçarizi, ish drejtori i kësaj shkolle dhe veterani i arsimit, Zyber Paçarizi dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi.
Objekti i shkollës së re, do të kushtoj mbi një milion euro dhe financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.