Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë, në gjatësi prej 7.3 km. Në ceremoni morën pjesë kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kryeministri Hoti tha se nisja e këtyre punimeve është jetike për infrastrukturën në Gjilan.
“Ky projekt do ti japë frymë qytetit të Gjilanit dhe së bashku me pjesën tjetër të Gjilanit njihet si projekti më i madh nga BERZH. Unë jam shumë i nderuar që jam sot këtu për të filluar këtë projekt. Jemi në një situatë të vështirë të pandemisë dhe e dimë se Gjilani është ndër komunat më të prekura nga kjo pandemi. Dua ta përgëzoj kryetarin për punën që po e bën”, tha Hoti.
Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u shpreh se ky projekt jo vetëm që do ta rregullojë infrastrukturën e trafikut të qytetit që ai drejton por do të ketë rëndësi edhe për atë nëntokësore, duke ruajtur ambientin dhe ujërat në zonën e qytetit.
“Emri dhe rruga ka shumë çmim sepse e rregullon infrastrukturën jo vetëm në trafik por edhe atë nëntokësore dhe duke e ruajtur ambientin dhe ujerat në zonën e qytetit”, tha Haziri.
Haziri ka falënderuar kryeministrin Hoti për të cilin tha se pa asnjë hezitim ka mbyllur procesin me BERZH-in.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, premtoi edhe një investim tjetër në qytetin e Gjilanit. Ai tha se ky qytet po e merr vëmendjen e qeverisë Hoti.
“Do të vijmë sërish na Gjilan që e kemi një projekt të rëndësishëm nga hyrja nga Kllokoti në Gjilan. Do të vijmë edhe me tenderimin e autostradës nga Bresalci deri në kufi, prandaj me fjalë tjera Gjilani po merr vëmendjen e duhur të qeverisë Hoti. Ne do të jemi këtu vitin e ardhshëm edhe me projekte tjera”, tha Abrashi.
Përfaqësuesi i BERZH-it në Kosovë, Arianit Blakaj, falënderoi të pranishmit, teksa dha përkrahje edhe për projekte tjera./Tv Malisheva