Pasi e filloi në mënyrë zhgënjyese kampionatin e ri, përkundër transferimit të disa futbollistëve të shtrenjtë, FC Prishtina ka gjetur qetësi shpirtërore pikërisht në Drenas, prej nga vjen njëri prej klubeve me synime të mëdha, Feronikeli, shkruan Gazeta Express.

Bardhekaltrit dje e mposhtën si mysafirë “Niklin” me rezultat 2:1, duke e regjistruar kështu fitoren e dytë rresht. Prishtinasit me këtë fitore u ngjitën në vendin e dytë të tabelës me 11 pikë, tetë më pak sesa kryesuesi, Ballkani, i cili po ashtu e ka zhvilluar një ndeshje më shumë. Kështu, ekipi i Zekirija Ramadanit tani ka arritur bilanc prej 3 fitoreve, 2 barazimeve dhe 1 humbjeje.

Trajneri i porsaardhur në Prishtinë për ta fituar titullin e kampionit siç e kishte fituar me Feronikelin dhe Trepçën ’89 thotë se fitorja në Feronikel i ka dhënë zemër dhe ia ka kthyer vetëbesimin Prishtinës për vazhdim të kampionatit, shkruan Gazeta Express.

“I uroj futbollistët për fitoren në Drenas e cila gjithsesi ishte shumë e mundimshme, mirëpo tre pikë shumë të rëndësishme për rritjen e vetëbesimit në ekip dhe për ta vërtetuar që ato dy javë që i patëm pauzë, kemi punuar dhe kemi përmirësuar shumë gjëra”, ka thënë Ramadani.

Prishtinën në fundjavë e pret një tjetër sfidë e vështirë. Do të luajë kundër Gjilanit në kryeqytet. “Tani me këmbë në tokë të marrim ndeshjen e radhës në fundjavë”, u shpreh Ramadani, i cili e kishte zëvendësuar Armend Dallku në postin e trajnerit vetëm pak para fillimit të kampionatit të ri.

Dallku ishte larguar nga Prishtina pasi nuk e kishte garantuar titullin e kampionit siç i kishte kërkuar një pjesë e kryesisë së klubit, e cila pastaj e kishte angazhuar trajnerin shqiptar nga Maqedonia, i cili i ka fituar dy tituj të kampionit në Kosovë me dy ekipe të ndryshme

Share.