Maja e Murgës, 20 km larg qytetit të Pukës në Shqipëri, po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuarit pas natyrës.

Destinacioni më i ri turistik i Pukës, që shtrihet mbi liqenin e Komanit, po tërheq qindra turistë.

“Fundjava që lamë pas solli dyndje turistësh nga Kosova dhe qytete të ndryshme të vendit. Vetëm vitin e kaluar Majën e Murgës e vizituan 7000 turistë, numër që këtë vit pritet të dyfishohet me fluksin që kanë fundjavat e kësaj pranvere”, thekson bashkia e Pukës, raporton atsh.

Me zhvillimin edhe të guidave, bukuritë natyrore të Pukës po marrin vëmendjen e duhur.

“Dy vitet e fundit Maja e Murgës ka tërhequr shumë vizitorë vendas e të huaj. Grupet e turistëve që vijnë për të vizituar këtë pikë turistike variojnë nga 50-150 persona”, ka thënë Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë

“Nga janari i këtij viti deri tani Maja e Murgës është vizituar nga rreth 3 mijë vizitorë, por çdo javë ka gjithnjë e më shumë të interesuar për të vizituar këtë pikë turistike”, tha Pjetri.

Ndërsa vizitorët nga Kosova dhe Shqipëria shprehen se kaluam shumë bukur dhe shpresojmë të vijmë edhe herët e tjera.

Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metra lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.

Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra./atsh/

/TV Malisheva

Share.