Çmimet në Shqipëri do të jenë të larta jo vetëm këtë vit, por do të vijojnë të jenë më të lartat në dy dekada, të paktën deri në vitin 2027.
Parashikimi është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar së fundmi.
FMN vlerëson se inflacioni mesatar në Shqipëri, në vitin 2022 do të jetë 5.5%, nga 2% që ishte mesatarja e vitit të kaluar. Çmimet pritet të jenë të larta edhe në vitin 2023, me normën e inflacionit që vlerësohet të jetë në 3.7%. Deri në 2027-n inflacioni pritet të qëndrojë në rreth 3%, në objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Këto janë nivelet më të larta që nga viti 2004, kur FMN raporton të dhënat. Për periudhën 2004-2013, inflacioni mesatar është luhatur në 2.7%, ndërsa nga viti 2014 deri në 2021 është luhatur midis 1.3-2%.
Në raportin e titulluar “Lufta frenon rimëkëmbjen ekonomike”, FMN vlerëson se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës do të frenojë rëndë rimëkëmbjen globale, duke ngadalësuar rritjen dhe duke rritur inflacionin edhe më tej.
Raporti thekson se efektet ekonomike të luftës po përhapen gjerësisht, si valët sizmike që burojnë nga epiqendra e një tërmeti, kryesisht përmes tregjeve të mallrave, tregtisë dhe lidhjeve financiare. Për shkak se Rusia është një furnizues kryesor i naftës, gazit dhe metaleve, dhe, së bashku me Ukrainën, të grurit dhe misrit, rënia aktuale dhe e pritshme e ofertës së këtyre mallrave tashmë i ka rritur ndjeshëm çmimet e tyre.
Edhe para luftës, inflacioni ishte rritur në shumë ekonomi për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe çekuilibrit të kërkesë-ofertës të shkaktuar nga pandemia. Disa tregje në zhvillim dhe banka qendrore të ekonomive të zhvilluara, si Rezerva Federale e SHBA-së dhe ato në Amerikën Latine, tashmë ishin nën presion para luftës, duke përshpejtuar shtrëngimin e politikës së tyre monetare.
Mungesa e furnizimit të lidhura me luftën do t’i përforcojë shumë këto presione, veçanërisht nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë, metaleve dhe ushqimit.
Megjithëse pengesat pritet të lehtësohen përfundimisht pasi prodhimi do të nxitet në vende të tjera në përgjigje të çmimeve më të larta, duke shtuar njëkohësisht dhe kapacitetet, mungesat e furnizimit në disa sektorë pritet të zgjasin deri në vitin 2023. Si rezultat, FMN parashikon që inflacioni të mbetet i lartë për shumë më gjatë, si në tregjet e avancuara ashtu edhe në ato në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.
FMN parashikon që rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburantit do të dëmtojë familjet me të ardhura më të ulëta në nivel global, duke përfshirë këtu shtetet e Amerikës Jugore dhe Azisë. “Në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve mund të shtojë ndjeshëm rrezikun e trazirave sociale”, thuhet në raport.
Në raportin e fundit FMN ka përgjysmuar parashikimin për rritjen ekonomike të vendit në vitin 2022. FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet ketë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi në muajin tetor. Ulja e parashikimit të FMN-së lidhet me luftën dhe ndikimin e saj në partnerët kryesorë të vendit (si Italia) si dhe situatën energjetike./TV Malisheva