Folkolori në krahinën e LLapushës është libri që doli nga shtypi, libër që përmban përmbledhje kumtesash nga simpoziumi shkencor i mbajtur në Malishevë. Librin e përgatiti prof. dr. Zymer Neziri
Më poshtë do të gjeni postimin e plotë të prof. Zymer Nezirit lidhur me botimin e këtij libri:
Doli nga shtypi libri Folklori në krahinën e Llapushës, Malishevë, 2019, përmbledhje kumtesash nga simpoziumi shkencor i mbajtur në Malishevë, më 1.8.2018. Botues i librit është shoqata për kulturë dhe letërsi ‘’Tafil Kelmendi’’, Malishevë, të cilin e përgatiti për shtyp prof. dr. Zymer U. Neziri. Sesioni shkencor ‘‘Folklori në krahinën e Llapushës’’, i mbajtur në Malishevë, më 1.8.2018, dhe organizuar nga Komuna e Malishevës, Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, në kuadër të festivalit të 5-të të folklorit ‘’ Oda e Llapushës’’, Malishevë, është ngjarje e re dhe fillim i ri në jetën shkencore të krahinës së Llapushës.
Librit me kumtesa Folklori në krahinën e Llapushës i prin kumtesa e prof. dr. Zymer U. Nezirit, studiues, mbledhës i folklorit, profesor universitar dhe ndër punojësit e parë shkencorë të Degës së Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës (1971). Me kumtesën e tij “Eposi i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit në fillim të shekullit XXI: krahina e Llapushës’’, në këtë simpozium shkencor solli të dhëna me interes për gjendjen e sotme të Eposit të Kreshnikëve në Llapushë. Në këtë kumtesë trajtohen dy vëllime me këngë, të hulumtuara, të shënuara dhe të incizuara nga autori, prej 12 këngëtarësh të kësaj krahine, në vitet 2012-2014: Hasan Morina, Muhamet Bashota, Ali R. Krasniqi, Imer Sefë Mleçani, Osman Sefë Mleçani, Brahim Sefë Mleçani, Isë Llapçeva, Bajram Baja, Isak H. Kryeziu, Halil Bytyçi, Zymer Kryeziu, Naim Sali Krasniqi. Autori, dy vëllimet e Llapushës i ka realizuar në kuadër të projektit E5 për eposin shqiptar në Ballkan, 2012-2016, që ka 15 vëllime dhe është dëshmi për dosjen për paraqitjen e Eposit të Kreshnikëve në Listën e UNESCO-s. Projektin E5 e kanë vlerësuar lart edhe në Universitetin e Harvardit, në Universitetin e Milanos dhe ka marrë një çmim evropian nga fusha e trashëgimisë shpirtërore, nga Europa Nostra. Autori thekson se ky lloj i epikës sonë, që jeton edhe në Llapushë e që është jehonë e bëmave heroike ilire kundër dyndjeve të sllavëve të Jugut në Iliri, epikologët e çmojnë kryevlerë e folklorit shqiptar dhe monument i trashëgimisë etnokulturore botërore.
Në vijim është kumtesa e prof. dr. Adem Zejnullahut, studiues, mbledhës i folklorit dhe profesor universitar, tashmë emër shumë i njohur ndër punojësit shkencorë të Degës së Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Me kumtesën e tij me interes, ’’Salih e Feriz Krasniqi, rapsodë të papërsëritshëm’’, në këtë simpozium shkencor pohoi se ata, me zërin dhe me këngën e tyre të mrekullueshme, u bënë të njohur edhe jashtë gjeografisë shqiptare, duke marë shumë çmime e mirënjohje nëpër festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Këta dy rapsodë e kënduan realitetin jetësor e historik të popullit tonë gjatë periudhave të ndryshme, duke nxitur e duke frymëzuar gjeneratatat e reja për qëndresë, sakrificë e luftë për çlirim dhe pavarësim të Kosovës. Ata interpretuen qindra këngë të ndryshme popullore, thotë autori. Kënga e tyre paraqet vlera të shumta përmbajtjesore dhe artistike, prandaj ata arritën që të bëjnë emër në tërë hapësirën shqiptare. Ata ishin Homerët që e përjetësuan jetën dhe këngën tonë. Këngët e kënduara nga këta dy rapsodë janë kronika më besnike e shumë ngjarjeve dhe e personaliteteve të njohura popullore që ndërlidhen me to. Këngët e Salih e Feriz Krasniqit kumtojnë për ngadhënjime e humbje të heronjve, për tragjiken dhe të madhërishmen e tyre, për luftën, qëndresën dhe sakrificën në altarin e lirisë, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë, përfundon autori.
Prof. dr. Sabahajdin Cena, studiuesi, mbledhësi i folklorit dhe profesori universitar, tashmë i njohur edhe si njëri prej komandantëve të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kumtesën e tij me interes, ’’Tradita e rapsodimit epik-heroik në arealin e Llapushës’’ solli një sintezë me interes për tri shkollat e rapsodimit epik legjendar e historik: Shko¬lla e Mleqanit, Shkolla e Drenovcit dhe Shkolla e Bllacës. Sipas tij, rapsodia ka tri burime: Rapsodia me burim e bazament në lirikën rituale të riteve familjare, rapsodia me burim e bazament në epikën gojore, legjendare e historike dhe rapsodia me burim e bazament nga poema. Në kuadër të këtyre grupimeve, prof. Cena thotë se janë zhvilluar nëntë tipa të rapsodisë: 1. Raposdia biografike e tipit “portret i dëshmorit”, 2. Rapsodia kronologjike e tipit “gjenalogji e familjes“ (sagë), 3. Rapsodia fragmentare-monoepisodike, 4. Rapsodia mobilizuese (alarmuese-kushtrimtare), 5. Rapsodia enomeruese (statistikore), 6. Rapsodia tematike syzheore, 7. Rapsodia e modeluar, 8. Rapsodia e kombinuar, dhe 9. Rapsodia interrogative. Prof. Cena përfundon me kompetencën e studiuesit me përvojë të gjatë universitare se sot, kur e dëgjon rapsodinë tonë me tematikë nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rilind një botë e tërë emocionale, që shtrihet kah e madhërishmja e së andejmi edhe kah përjetësia, kah kulti, kah gjithëprezenca e shpirtit heroik të sublimes me destinacion në idealen.
Libri me kumtesa Folklori në krahinën e Llapushës mbyllet me kumtesën e dr. Mehmet Rukiqit, mbledhës i folklorit, botues dhe studiues i njohur, tashmë emër shumë i dalluar në mbledhjen, studimin dhe botimin e anekdotave, me kumtesën e tij me interes, ’’Epika historike dhe rapsodë nga krahina e Llapushës’’. Fillimisht, shtron të dhëna për përkufizimin e Llapushës, krahinë kodrinore – malore në kufi të anës lindore të Rrafshit të Dukagjinit, që shtrihet ndërmjet lumenjve Klinë e Dri dhe maleve Kosmaç, Millanovc dhe Gradinë. Në këtë kumtesë flet për këngëtarët që dikur kanë kënduar dhe që sot këndojnë këngë të ndryshme nga kjo krahinë e mirënjohur dhe trajton veçoritë e theksuara të epikës popullore shqiptare. Rapsodët nga kjo krahinë morën shumë çmime e mirënjohje kombëtare e ndërkombëtare për këngët e tyre. Për ta këndohet e shkruhet edhe sot. Ata tashmë edhe vetë u bënë personazhe këngësh dhe kanë hyrë në histori, përfundon ai.
Sesioni shkencor ‘‘Folklori i krahinës së Llapushës’’, në kuadër të festivalit të 5-të të folklorit ’’ Oda e Llapushës’’, Malishevë, u organizua sipas standardeve të larta të organizimeve të këtij lloji të tubimeve shkencore. Para fillimit të tij, u përgatit edhe libri i shkurtoreve (i abstrakteve) me biografi të shkurtra të kumtuesve dhe me bibliografitë kryesore të temave të trajtuara në sesionin shkencor ‘‘Folklori i krahinës së Llapushës’’.
Libri u përurua, sivjet, më 1 gusht, në Malishevë, në ditën e fillimit të festivalit ’’Oda e Llapushës’’, në praninë e kryetarit Ragip Begaj, të nënkryetarit Hajdin Berisha, të drejtoreshës së Kulturës, Besartë Kryeziu-Ramaj, të kryetarit të shoqatës, Fadil Javori, të zyrtarëve të tjerë të Komunës dhe të shumë intelektualëve të kësaj ane.