Lista e pritjes për të përfituar nga fondi për trajtim jashtë institucioneve publike është e gjatë, ndërsa jo të gjithë pacientët përfitojnë nga ky fond. Po ashtu, ka dyshime se ky fond nuk ndahet në mënyrë transparente, si dhe nuk ka të dhëna nëse mjetet e shpenzuara janë në linjë me shërbimet e ofruara në institucionet private.
Kështu është thënë se konferencën e titulluar “Efekti i korrupsionit te qytetarët: Diskutimi i Fondit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës”, të organizuar nga instituti Columbus në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2019.
Saranda Ramaj nga Instituti Columbus, tha se ka dyshime se fondi për trajtim jashtë vendit ndahet në mënyrë jo transparente.
Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se një marrëveshje në mes Kosovës dhe Turqisë, sipas të cilës pacientët do të trajtoheshin pa pagesë nuk është shfrytëzuar asnjëherë.
Ramaj: Ka dyshime nëse këto fonde ndahen në mënyrë transparente
“Në vitin 2013 pagesat për trajtim jashtë vendit sipas Ministrisë së Shëndetësisë atë kohë kanë qenë 3 milionë e 400 mijë euro, në vitin 2017 këto kanë arritur në 12 milionë euro. Do të thotë nuk kemi rritje ndoshta enorme të numrit të të sëmurëve, mund të ketë rritje të kërkesave të pacientëve, megjithatë ka dyshime nëse këto fonde ndahen në mënyrë transparente. Krejt vonë jemi vënë në dijeni të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, kjo marrëveshje daton që në kohën e Alush Gashit dhe me këtë marrëveshje parashihej që disa pacientë në vit të marrin shërbime ose të ofroheshin ato që nuk ofronte sistemi publik në Kosovë të ofrohej përmes fondit për trajtim jashtë vendit pa asnjë cent, pa pagesë në Turqi. Deri në vitin e fundit, nuk e di nëse vitin e fundit ka ndryshuar kjo shifër nuk e kemi pasur asnjë rast të dërguar jashtë vendit përmes kësaj marrë veshje, e fatkeqësisht duke e anashkaluar këtë marrëveshje Ministria e Shëndetësisë pacientët i ka dërguar në spitale të tjera dhe ka paguar, ndërsa nuk e ka shfrytëzuar marrëveshjen gratis”, tha ajo.
Kurse, drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, tha se ka një trend rënës të numrit të referimeve për trajtim jashtë institucioneve publike.
Ai bëri të ditur se vetëm në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2017, kishte pasur 564 referime, në vitin 2018 kishin qenë 11 referime, ndërsa në vitin 2019 janë vetëm 44 referime. Kjo rënie e numrit sipas tij, ka të bëjë me investimet që ShSKUK-ja ka bërë në këtë klinikë.
Sa i përket vlerës monetare, ai tha se në vitin 2019 nuk kalohet shifra prej 11 milionë euro.
Plakiqi: Në vitin 2019 është nën 11 milionë euro
“Sa i përket vlerës monetare, ne kemi rastin kur vlerat financiare që i flasim nëpër vite në vitin 2017 ka qenë mbi 12 milionë, në 2018 është nën 12 dhe sivjet në 2019 hala është më poshtë, do të thotë nën 11 milionë euro. Krejt rastet që i kemi këtu janë të specifikuara me diagnoza, se tash e kemi avancuar edhe sistemin elektronik çdo rast është i detajuar, do të thotë është në sistem diagnoza, nuk ka mundësi të bëhet përzierja e diagnozës, sepse është vetëm një diagnozë”, tha ai.
Përfaqësuesi i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, tha se institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore nuk duhet të shihen si publike dhe private, pasi sipas tij, janë institucione të vendit.
Gjonbalaj: Ligjet që janë në fuqi dhe punësimi krijojnë telashe në vazhdimësi
“Nga një vit i formimit të fondit që është ka hapa përpara, por po besoj që ka ardhur koha që duhet me ble shërbime qoftë prej publikut, qoftë prej privatit, pastaj të shohim më tutje. Normalisht që institucionet publike me kapacitetet që kanë buxhetore nuk kanë hapësirë dhe mundësi me ofrua shërbime cilësore në të gjitha drejtimet, sepse ligjet që janë në fuqi duke filluar prej prokurimit dhe më tutje dhe punësimi krijojnë telashe në mënyrë të vazhdueshme. Atëherë duhet me e pa cilat janë kapacitetet në publik dhe cilat janë kapacitetet në privat dhe duhet të komplementohen”, tha ai.
Kurse, Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, tha se kanë pranuar ankesa të mëdha nga pacientët të cilët nuk arrijnë të marrin shërbime nga fondi për trajtim jashtë institucioneve publike.
Kodra: Kemi pranuar ankesa nga pacientët që nuk kanë mundur të marrin shërbime shëndetësore
“Ne kemi pranuar mjaftueshëm ankesa nga pacientët që nuk kanë mundur të marrin shërbime shëndetësore duke përfituar nga fondi për trajtim jashtë vendit. Për mua ka qenë befasi e madhe se si pacienti maltretohet duke kërkuar shërbim në fondin e trajtimit jashtë vendit të cilët e referojnë prapë në QKUK, qendra prapë e hedhë tek ta. Këtë javë unë pranova një ankesë prej një pacienti të cilit nuk i lejohet trajtimi jashtë për shkak se Klinika e Ortopedisë i kishte lëshuar një vendim që ky rast nuk bëhet në QKUK, por po t’i kishim këtë lloj materiali ne do ta bënim dhe fondi i sigurimeve shëndetësore nuk e lëshon një vërtetim me një kësi kushti, ndërsa pacienti prapë mbet duke rrugëtuar nga fondi në QKUK. Ka edhe ankesa të tjera të shpeshta që nuk kanë mundur të përfitojnë për shkak të mungesës së mjeteve, listat janë shumë të gjata të pritjes për të marr shërbim”, tha ai.
Ai ka propozuar që fondi për trajtim jashtë vendi të jetë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe jo në kuadër të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Konferenca e titulluar “Efekti i korrupsionit te qytetarët: Diskutimi i Fondit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike të Kosovës”, është organizuar nga instituti Columbus në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2019