Lojërat Olimpike janë ngjarja më i rëndësishëm sportiv në botë. Aty ku çdo sportist garon për një medalje, e që është kurorëzimi i një pune 4 vjeçare.

Vitin e ardhshëm këto lojëra pritet të organizohen në Tokyo. Aty ku edhe shumë sportistë nga Kosova synojnë të jenë të pranishëm dhe të luftojnë për medalje.

Një ndër sportistet që është duke synuar të marrë pjesë në këto lojëra, është edhe karateistja Fortesa Orana, e cila është duke punuar me përkushtim të madh që të arrijë normën dhe të përfaqësojë sportin e karates në këtë ngjarje.

Orana duke përmbledhur vitin që sapo lamë pas, ka folur rreth sukseseve të arritura, si dhe për arritjen e normës olimpike.

Ajo vitin 2019, e cilësoi si një vit të suksesshëm për të dhe për sportin e karatesë, kështu duke veçuar disa gara në të cilat ka marrë pjesë duke arritur rezultate të favorshme.

Orana: Viti 2019 ishte shumë i suksesshëm për mua

 

“Viti 2019 ka qenë një vit i veçantë, mund të them për vitin 2019. Kryesore që kisha mundur të cek, garën që më ka veçuar dhe që ka qenë një sukses mjaft i madh për mua, ka qenë kampionati evropian që është mbajtur në Madrid të Spanjës. Aty jam renditur në pozitën e pestë në Evropë, dhe fati nuk deshi që të stolisem me medalje edhe pse kam qenë shumë afër, por fati nuk ishte në anën time. Ka qenë një garë mjaft e fortë, një ëndërr e imja që të jem pjesë si medaliste, por referimi nuk ka qenë shumë i drejtë për mua, duke cekur që me garuesen spanjolle isha duke fituar 2:0, ku në fund më diskualifikuan me vërejtje pa ndonjë arsye”, tha fillimisht Orana.

Orana si dhe sportistët tjerë hasin në shumë probleme, e më së shumti në aspektin financiar duke mos arritur të marrin pjesë në shumë gara ndërkombëtare, pikërisht për shkak të këtij problemi.

Ajo theksoi se në tre premier liga nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të këtij problemi dhe as federata nuk ka arritur t’i ndihmojë karateistëve të jenë pjesëmarrës në këto gara.

Orana: Kemi probleme të shumta në aspektin financiar

 

“Po hasim në shumë probleme, duke pasur parasysh që në tre premier liga nuk i kemi ndjek për shkak të financimeve, do të thotë që federata nuk ka mundur të na bëjë zgjidhje. As federata nuk ka ndonjë sponsor për viti 2019, nuk ka pasur por tash, po tash kanë lind dhe ka informacione janë munduar t’i ndihmojnë federatës… Në Madrid jam shkruar me mjete financiare të mijat që jam munduar t’i gjejë në komunën e Gjilanit. Nuk duhet të ketë këso lloj probleme një sportist që synon medaljen e artë ose një sportist që synon olimpiadën. Mendoj që duhet t’i kthejnë sytë nga ne, nga sporti i karatesë, kemi talent, mundohemi shumë me punën tonë”, tha Orana.

Ndërsa sa i përket vitit 2020, Orana tha se synon që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që kësaj radhe organizohen në qytetin e Tokyos, ku sipas saj, sporti i karates ka shumë potencial dhe shumë lehtë mund të arrijë të fitojë ndonjë medalje olimpike që është suksesi më i madh për ndonjë sportist elitar.

Orana: Synimi im të jem pjesë e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”

 

“Synimet e mija për viti 2020 është domethënë një vit me qëllime shumë të mëdha, si krejt sportistët por edhe në sportin e karatesë. Është evropiani, olimpiada, botërori. Jam duke u munduar shumë që të jem pjesë e Olimpiadës, jam afër dhe jam potenciali më i madh ndoshta mund të them për me qenë kualifikuese në Olimpiadë në karate… Gjasat janë të mëdha. Kualifikimet më të rëndësishme janë në Paris domethënë në maj, nëse unë në atë garë jam mirë, ose vendi i parë ose vendi i dytë shkon direkt në Olimpiadë. Ajo po na mbanë shpresën, jemi duke punuar për atë garë dhe të shohim pse jo me qenë kualifikuese në Olimpiadë”, përfundoi Orana.

Kujtojmë që deri më tani, Kosova ka fituar një medalje në Lojërat Olimpike, madje të artë me xhudistën Majlinda Kelmendi, e cila arriti të fitojë një të tillë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, kështu duke e futur shtetin e Kosovës në mesin e atyre që kanë arritur të fitojnë medalje të artë në këto lojëra.

Share.