Kapelat mund të jenë edhe një zgjidhje artistike për të siguruar që personat t’i respektojnë distancat mes njëri-tjetrit në kohë të rrezikut pandemik. Këtë mënyrë po përdor një galeri franceze për vizitorët e saj.

Një galeri arti në Francë po përdor imagjinatën por edhe referenca historike për të aplikuar masa të distancimit fizik prej pandemisë.

Artistët e galerisë “59 Rivoli” janë frymëzuar nga dinastitë e lashta kineze për të krijuar kapela me përmasa të mëdha që shmangin kontaktet e afërta mes vizitorëve nga rreziku i koronavirusit.

Kapelat shumëngjyrëshe përshkohen nga një shufër që siguron largësinë rreth 1 metër mes personave.

Mbulesa të tilla për kokën thuhet se përdoreshin nga zyrtarët e dinastive kineze deri në shekullin e 13-të.

“Me sa duket, zyrtarët më shumë por edhe perandorët mbanin nga këto kapela për të penguar pëshpërimat apo të folurit pa u dëgjuar nga të tjerët. Pra edhe atëherë kishte një nocion distancimi social, të mosafrimit pranë.”

Artisti Dominik Puzol thotë se prodhimi i 10 kapelave i ka marrë atij 30 orë kohë.

Kapelat synojnë në parim mbrojtjen nga kovidi, por kanë edhe mesazhe më sociale, siç është mbrojtja nga paragjykimi e konkretizuar me një kapelë me ngjyrat e ylberit për kauzën LGBT.

“Roli i artistëve në kohë të tilla është të krijojnë flluska imagjinate dhe kënaqësie. Në këtë moment të gjithë janë të frymëzuar për jetën, për të ndenjur në tarracat e kafeneve, për të folur, për të qeshur, por me maska kjo bëhet e vështirë. Ndaj arti ndihmon që t’i bëjë bashkë njerëzit.”

Muzetë e vegjël francezë kanë hapur dyert për vizitorët nga mesi i muajit të kaluar, ndërsa ai kryesori i kryeqytetit, muzeu i Luvrit, planifikon rihapjen në fillimin e korrikut./ Tv Malisheva

Share.