Federata e Futbollit do të mbështesë financiarisht punëtorët e futbollit: futbollistët, trajnerët, arbitrat dhe gjithkënd që është i punësuar në futboll. Kjo paketë financiare u prezantua sot nga Presidenti Armand Duka dhe vjen në një kohë shumë të vështirë për futbollin në vendin tonë, si pasojë e shtrirjes së virusit Covid-19 dhe ndalimin e çdolloj aktiviteti. Presidenti Duka theksoi se në këto ditë të vështira, “armiku” ka lëvizur shpejt dhe ka dëmtuar jetët tona, ka dëmtuar edhe komunitetin tonë sportiv. Presidenti Duka ngushëlloi familjet e atyre që humbën jetën mes të cilëve edhe ish-sportisti Skënder Kurti.

“Gjatë kësaj kohe Federata e Futbollit është munduar të jetë afër anëtarëve të saj dhe afër shoqërisë shqiptare për të minimizuar apo për të ulur atë vështirësi të jetës së mbyllur; ndryshimin e mënyrës së të jetuarit nëpërmjet lojrave, konkurseve, apo trajnimeve online për futbollistët për të ruajtur formën e tyre. Federata gjithashtu është solidarizuar me mjekët në Ditën Botërore të Mjekësisë duke u dhuruar mjekëve një bluzë të kombëtares; të gjithë stafeve mjekësore që shërbejnë në vijën e parë që nuk takojnë dot as fëmijët, dhe fëmijëve të tyre nga një top në mënyrë simbolike” the Presidenti Duka.

“Një pjesë e komunitetit tonë të futbollit, futbollin nuk e ka një pasion, por e ka profesion, me të cilin jeton dhe mban familjen. Por virusi e ka detyruar të mbyllet dhe mos ta ushtrojë. Kështu që Federata është munduar të bëjë ndërmjetësin mes punëtorit sportiv dhe qeverisë shqiptare për të arritur të kompensojë në këto ditë të vështira punonjësit sportivë, futbollistë, zyrtarë etj. Kemi qënë të pasuksesshëm për të bindur qeverinë deri më sot. Në këto kushte, Komiteti Ekzekutiv i Federatës ka vendosur të miratojë një paketë financiare, në ndihmë të futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe gjithkujt që është i punësuar në futboll. Kjo paketë financiare parashikon, dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare siç mund të quhet, për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj; nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish. Detajet dhe e gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trainerët e futbollit që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion, dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror. Federata do t’i shpërndajë direkt pagesat tek individët, në numrat e llogarive bankare, besoj se në mënyrë të shpejtë administrata (e Federatës) duke filluar nga nesër do ta realizojë shpërndarjen e tyre. Burimi financiar i kësaj pakete, është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga traineri i ekipit komnbëtar Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjithë pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse siç dihet kjo është dicka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm” shtoi Presidenti Duka.

Presidenti Duka i ka bërë thirrje të gjithë komunitetit të futbollit në Shqipëri për respektim rigoroz të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore dhe ka shprehur besimin se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë “lojë” kundër këtij kundërshtari të rrezikshëm./ Tv Malisheva

Share.