Emri i Naser Shalës ishte përmendur në Kuvendin e Kosovës vite më parë nga Adem Grabovci. Ai po i kujtonte Krasniqit ‘fuqinë’ e “ftyrës”, me të vetmin qëllim që ai t’i bindej shefit të atëhershëm të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, shkruan Sinjali.
Por është i njëjti person që përdorej për ta frikësuar Krasniqin nga Grabovi që ka larguar dy ambasadat më të mëdha në Kosovë. Ambasada e SHBA-ve dhe e Britanisë së Madhe janë larguar nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për shkak të Naser Shalës.
Fjalë të rënda në një njoftim për tërheqja kanë lëshuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty thuhet se Kosova po tradhton besimin dhe po dëmton imazhin e vendit.
“SHBA-ja ka dhënë dorëheqjen nga Bordi i KPVCA-së, siç bëri Mbretëria e Bashkuar më herët. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë i një institucioni kur lidershipi i tij u shërben interesave personale dhe politike, më shumë se sa qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
“Përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozicionet qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut”, thuhet më tej në njoftim.
Në fakt që nga emërimi i ‘fytrës’ në këtë pozitë SHBA dhe Britania e Madhe kishin kundërshtuar fuqishëm. Kishin kërkuar largimin e Naser Shalës nga ajo pozitë.
Ambasadori Ruari O’Connell, duke mos u pajtuar me këtë përzgjedhje pati dhënë dorëheqje nga kryesimi i Bordit të Agjencisë së Pronës, në mars të këtij viti.
Vendim i ambasadorit O’Connell kishte ardhur pas mospërfilljes nga Kuvendi i Kosovës, që ta emërojë në një pozitë kandidatin që doli më i suksesshmi, bazuar në konkursin të cilin e monitoron ambasada, për pozita publike.
Kuvendi i Kosovës, por edhe institucione tjera, kanë nënshkruar më herët memorandum me Ambasadën Britanike, e cila ndihmon në përzgjedhjen e stafit në pozita publike të ndryshme.
“Fatkeqësisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë kandidatin e vetëm që kishte plotësuar kriteret e konkursit dhe kështu ka vendosur në këtë pozitë një kandidat që nuk u konsiderua profesional për pozitën”, thuhej në njoftimin e Ambasadës britanike.
Por vetëm dy ditë më parë, ‘ftyra’ foli për herë të parë për pozitën që e kishte fituar. Aty ai tha se nuk e ka ndërmend të largohet për shkak se sipas tij e meriton.
Por kush është ‘ftyra’?
Naser Shala, që në luftë njihej si komandant “Ftyra”, ka qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.
Pas një procesi të gjatë Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij në mesin e tyre edhe Shalën.
Ndërsa, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.
Emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.
Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.
Lidhjet e afërta mes Grabovcit dhe ‘ftyres’ vërtetohej edhe në disa përgjime të publikuara vite më parë.
Në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar.
“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.
“A t’ngoj bile”, e pyet Shala.
“Ngoji, menjëherë, menjëherë u tërhoq, derisa t’përmena ty”, thoshte Grabovci.