Agjencia Kosovare për Efiçiencë të Energjisë dhe Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë̈ kanë nënshkruar marrëveshje për shfrytëzimin e 1 milion eurove për zhvillimin e projekteve të efiçiencës së energjisë.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi tha se 17 milionë euro janë tashmë në Fondin Kosovarë dhe prej këtij momenti është funksionalizuar për implementimin e projekteve.

Ministri Kuçi po ashtu theksoi se është më rëndësi që këto mjete të nisin të shfrytëzohen sa më shpejt, që konsiderohet si mundësi për zhvillim ekonomik në vend.

Kuçi: Fondi ka në dispozicion 17 milionë euro dhe prej këtij momenti është funksional

“Më në fund Fondi për Efiçiencë të Energjisë i ka në dispozicion 17 milionë euro dhe prej këtij momenti është funksional për të zbatuar politikat e veta dhe për të bërë implementimin e projekteve sipas planifikimeve që i kanë bërë. Është me rëndësi që këto mjete sa më shpejt të hyjnë në zbatim dhe kjo në një mënyrë e rrit mundësinë e zhvillimit ekonomik, sepse përmes këtij fondi nuk janë përfitues vetëm përfituesit faktik, por janë përfitues edhe ndërmarrjet e ndryshme që kanë me bërë zbatimin e këtij fondi”, tha Kuçi.

Kryeshefi i Agjencisë Kosovare për Efiçiencë të Energjisë, Arsim Kuliqi, ka thënë se në këtë kohë të pandemisë, funksionalizmi i fondit është mjaft i dobishëm.

Ai parasheh që do të ketë rreth 40 përqind kursime të shpenzimeve për energji elektrike.

Kuliqi: Kemi pranuar rreth 100 kërkesa nga komunat për energji

“Kemi pranuar nga komunat rreth 100 aplikacione që do të jenë pjesë e mbështetjes nga Fondi…Ka qenë proces i gjatë dhe i vështirë, por tani Fondi po fillon. Është edhe një moment shumë i rëndësishëm që gjendemi para pandemisë dhe në këtë situatë dhe me mbështetje të ministrit janë ndarë edhe një milion euro për Fondin… Në këtë periudhë të pandemisë është e dobishme sepse, do të ulen shpenzimet e energjisë nëpër institucionet publike dhe 40 përqind”, theksoi Kuliqi.

Ndërsa, kryesuesi i bordit të Fondit për Efiçiencë, Lum Mita, tha se me funksionalizmin e Fondit Kosovarë për Efiçiencë të Energjisë, Kosova do të jetë më afër BE-së.

Mita: Jemi më afër BE-së

“Është kohë e vështirë për qeverinë, por ministri Kuqi ka gjetur një përkrahje të madhe për Fondin, duke mos i shfrytëzuar fondet siç janë shkurtuar shumë kategori të tjera. Kjo mbështetje do të na ofroj afër Evropës, sepse jemi shteti I parë në Ballkanin perëndimor që e kemi krijuar Fondin dhe kemi mekanizëm për financim të fushës së energjisë efiçiente”, deklaroi Mita.

Komunat e Kosovës për objektet publike do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij Fondi, veçanërisht për objektet spitalore dhe shkollore.

Share.