Të gjitha veshjet e Duas, që nga tapeti i kuq e deri te festa pas ndarjes së çmimeve, nuk ishin rastësore. Siç mund ta keni lexuar, ajo i besoi Donatella Versace-s për të gjitha pamjet,
përfshirë këtu edhe veshjen për festën e organizuar nga i dashuri, Anwar Hadid.
Dua u pa me një fustan të shkurtër Versace, një version modern i fustanit që Christina Aguilera veshi në Grammy 2000, ku u vlerësua me çmimin “Artistja e re më e mirë”.
Edhe në këtë fustan, nuk mungojnë detajet e fluturave, një zgjedhje aspak rastësore.
“Ky është një fustan Versace i bërë për këtë rast. Fluturat kanë patur shumë simbolikë për mua këtë vit dhe në fakt, kanë shumë domethënie edhe për Versace-n. Prandaj, m’u duk interesante të bashkoheshim dhe të bënim diçka të lezetshme”, tha Dua për ET në lidhje me veshjen e tapetit të kuq.
Imazhet e fluturave besohet se përfaqësojnë ringjalljen, ripërtëritjen dhe rezistencën, ndërsa insekti pëson një transformim të madh për t’u shndërruar në “flutur”. Kështu, përmes këtyre motiveve të fustaneve, Dua nënkupton një ndryshim të madh në jetën ose karrierën e saj.
Në Grammy 2021, Dua u nominua për gjashtë çmime, përfshirë “Albumi i vitit”, “Kënga e vitit” dhe “Performanca më e mirë solo për pop”, por rrëmbeu vetëm një çmim, “Best Pop Vocal Album” për albumin “Future Nostalgia”. Ky është Grammy i tretë për këngëtaren, pas çmimeve “Artistja e re më e mirë” dhe “Kënga më e mirë Dance” në vitin 2019. /TV Malisheva