Derisa viteve të fundit kemi parë një avancim në zhvillimin e futbollit të meshkujve dhe tashmë po vijnë edhe sukseset në garat ndërkombëtare, një gjë e tillë ende nuk mund të thuhet për futbollin e vajzave në Kosovë.
Futbolli i kësaj kategorie vazhdon të përballet me sfida të mëdha, duke filluar nga mungesa e infrastrukturës, mbështetja financiare dhe kushtet tjera elementare për zhvillimin e këtij sporti.
Anëtarja e komitetit ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe njëkohësisht përfaqësuesja e futbollit të vajzave në Kosovë, Vjollca Krasniqi, në një intervistë thotë se mungesa e terreneve sportive është pengesa e parë me të cilin përballen çdo ditë klubet e futbollit të vajzave.
Krasniqi: Infrastruktura është problem serioz në zhvillimin e futbollit të vajzave
“Është mirë fillimisht vajzat ta duan futbollin, të mëshirohen me futbollin dhe më pastaj në mënyrë të vazhdueshme, me punë dhe aktivitet të arrihen suksese. Kemi ngecje në infrastrukturë. Kosovës i duhen edhe shumë terrene apo fusha sportive për të stërvitur dhe për t’i luajtur ndeshjet klubet. Kemi disa qytete ku një teren sportiv shërben për shumë grupmosha dhe zakonisht vajzave u caktohen pak a shumë termine pak më të papërshtatshme, mirëpo ne kemi bashkëpunim edhe me komunat, aty ku udhëhiqen fushat sportive nga komunat dhe po e bëjmë më të mirën të mundshme për vajzat, mirëpo na duhet punë edhe më shumë në infrastrukturë”, tha Krasniqi.
Krasniqi shton se në vendin tonë fatkeqësisht edhe me tutje vazhdon të ekzistojë mentaliteti si “futbolli nuk është sport për vajza” dhe se ato “nuk mund të luajnë futboll”.
Krasniqi: Ekziston ende mentaliteti që futbolli nuk është për vajza
“Ende ekziston pak a shumë mentaliteti që vajzat nuk mund të luajnë futboll apo futbolli nuk është sport i tyre, mirëpo ky mentalitet po vie dita e ditës duke i zbehur, por ende ka raste të caktuara. Unë kam shumë shpresë që futbolli i vajzave do të ketë të ardhme të mirë por na duhet ende kohë sepse futbollit nuk i ngritët cilësia për një vit apo dy vite, duhet punë e vazhdueshme, organizim në mënyrë sistematike dhe klubet duhet të mbështeten edhe nga komunat. Ne si federatë i mbështesim me referë, me vëzhgues, me mjete që ua hedhim në xhirollogari për shpenzime elementare për transport, ushqim, për pagesë të mjekut, mirëpo klubi duhet të përkrahet edhe nga komuniteti i qytetit përkatës.”, theksoi Krasniqi.
Një dallim i madh ndërmjet futbollit të meshkujve dhe atij të vajzave, Krasniqi thotë se mund të shihet edhe sa i përket aspektit financiar. Sipas saj, në Kosovë është një numër shumë i vogël i vajzave që paguhen për këtë sport.
Krasniqi: Shumica e vajzave luajnë pa pagesë dhe në baza vullnetare
“Këtu as nuk mund të bëjmë krahasim. Kemi disa klube që vajzat marrin paga vjetore, por ato janë pak. Kemi klube të tjera që vajzat më shumë luajnë vullnetarisht apo iu jepet ndonjë ndihmë në ndërkohë në rast të ndonjë premie apo për ndonjë udhëtim e kësisoj. Në vitin e kaluar patëm fituar një projekt nga FIFA dhe kemi mbështetur të gjitha vajzat e të dy grupmoshave edhe të Ligës së Parë edhe vajzave nën 17 vjeç dhe trajnerëve të tyre me paga mesatare mund të themi dhe për shtatë muaj u kemi dhënë si lloj burse edhe vajzave dhe trajnerëve të klubeve përkatëse. Do doja ta përsërisnim prapë këtë projekt që t’iu vijmë në ndihme mirëpo kjo mbetet të shihet në të ardhmen.”, shtoi ajo.
Përkundër të gjitha këtyre telasheve të mëdha, Krasniqi thotë se futbolli i vajzave ka avancuar nga viti në vit dhe kjo vërtetohet me numrin gjithnjë e në rritje të klubeve të futbollit nga kjo kategori.
Krasniqi: Përkundër sfidave, futbolli i vajza ka avancuar në Kosovë
“Mund të them se çdo vit ka përmirësime në zhvillimin e futbollit të vajzave. Kemi masovitet krahasuar me fillet e para kur kemi filluar në vitin 2008-09 më zhvillimin e turneve në fusha të vogla, mirëpo për çdo vit kemi shtim të numrit të klubeve, interesim më të madh, përkrahje nga prindërit për t’i inkuadruar vajzat në klube të futbollit ku janë të organizuara nëpër qytete të Kosovës. Mendoj që jemi duke shkuar mirë në krahasim me të kaluarën”, tha në fund Krasniqi.
Sa i përket Perfaqesues së Kosovës, e cila të enjten mposhti Armenin me rezultat 2-1, Krasniqi tha se është krijuar një grup shumë i mirë dhe se fokusi do të jetë që të përfshihen sa më shumë vajza nga ligat e Kosovës. /TV Malisheva