Që nga data 1 mars kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19, të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Gastronomia sipas këtij vendimi do të funksionojë sipas orarit të rregullt dhe kufizimi i vetëm është lejimi i hapësirës për shfrytëzim deri në 50%.
Edhe pse thonë se kanë pësuar një humbje të mëdha që nga fillimi i pandemisë. sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica tregoi se funksionimi i bizneseve do të varet në bazë të ligjit për tregti të brendshme, ku do të funksionojnë si para pandemisë. Ai po ashtu tregoi edhe për orarin që do të funksionojnë si gastronomi.
“Funksionimi i bizneseve do të varet në bazë të ligjit për tregti të brendshme, pra do të funksionojmë si para pandemisë… Gjatë sezonit të dimrit do të funksionojnë bizneset deri në ora 23:00, për restorantet, lokalet e gjitha këto. Ndërsa për pjesën e klubeve të natës dhe sallave të dasmave, ato funksionojnë gjatë sezonit të dimrit deri në ora 03:00, ndërsa të dyja gjatë sezonit të verës gastronomitë do të jenë deri në ora 00:00, ndërsa për klube deri në 05:00, por gjatë sezonit të verës”, tha ai.
Për sa i përket dëmeve që kanë pësuar gjatë kësaj periudhe, Vranica pohon se ato kanë qenë mjaft të mëdha e që u nevojitet kohë për t’u këndellë, teksa shtoi se sipas të dhënave të ATK-së, tani ka 2000 biznese më pak.
“Dëme ka pasur jashtëzakonisht shumë, ne të gjithë jemi në dijeni, por është evidente në bazë të statistikave të Agjencisë së Statistikave yë Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës. Të gjitha këto të dhëna që tregojnë dhe dëshmojnë se gastronomia prinë në raport me çdo industri tjetër, sa i përket dëmeve të shkaktuara si pasojë e vendimeve të Qeverisë dhe pandemisë, dhe nëse i referohemi të dhënave, ne dimë që vetëm me mbylljen në fillim, ka qenë diku 64% në rënien e qarkullimit, ka pas gastronomia prej fillimi. …Në bazë të dhënave të ATK-së në vitin 2019, kemi pasur 8104 biznese të regjistruara në veprimtarinë e gastronomisë, ndërsa në vitin 2021 i kemi 6195 biznese, përafërsisht 2000 biznese më pak… Në aspektin e punëtorëve, realisht ka pas humbje, por te aspekti i formalitetit ka pasur rritje dhe pasqyrohet kinse ka rritje të numrit, por nuk ka rritje, ani pse nëse i krahasojmë të dhënat kanë qenë diku rreth 13.800 punëtorë, atëherë kishte më shumë biznese në vitin 2019”, tha ai.
Pavarësisht lirimit të masave antiCOVID-19, shtrenjtimi i fundit i çmimeve të konsumit do të ndikojë në rënien e fuqisë blerëse, andaj Vranica thotë se është shteti ai që duhet të kontribuojë me masa specifike për të dalë nga gjendja aktuale.
“Ka prapë masa megjithatë nuk është një liri e plotë, ende nuk e kemi mbërri atë pikë. Kjo ndikon dhe mund të rrezikojmë sepse çmimet e furnizimit janë shtrenjtuar jashtëzakonisht shumë dhe anën tjetër edhe konsumatorët aftësinë blerëse e kanë ulë jashtëzakonisht shumë. Diku rreth 40% është ulur mundësia e konsumatorit për të shpenzuar në gastronomi…Ka ende punë, me kaq nuk përfundon. Në bazë të një hulumtimi që kemi bërë, diku mbi 50% të bizneseve të gjithë gastronomisë në përgjithësi, ju duhet më shumë se një vit të punojnë në kushte normale për të rimarrë veten, andaj duhet që të kontribuojë edhe shteti me masa specifike në mënyrë që të dalim më shpejt nga kjo gjendje dhe të mos kemi kriza”, tha ai.
Lirimit të masave antiCOVID-19 i janë gëzuar edhe qytetarët, sipas të cilëve qëndrimi mbyllur ka ndikuar negativisht.
Nilgyn Kosova, një qytetare, thotë se lirimi i masave është një veprim i duhur.
“Meqenëse numri i rasteve është i zvogëluar, mendoj që është veprim i duhur… Ndikon pozitivisht sepse është një kohë e gjatë që kemi qëndruar nën masa dhe kjo ndikon shumë në aspektin psikik të qytetarit”, tha ajo.
Edhe Herolind Krasniqi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për lirimin e masave.
“Normal që ka qenë vendim i duhur. Te ne si qytetarë ka ndikuar shumë se tash kemi përmirësime…Si në ekonomi, si në biznes e çfarëdo tjetër”, tha ai.
Ndërsa, Fatmir Muçolli, një qytetar tjetër, tha se Qeveria duhet të bëjë më shumë, në mënyrë që të kthehet ndërgjegjja e qytetarëve.
“Besoj se në qoftë se punohet më mirë, lehtësohet edhe më shumë… Uroj që kjo qeveri të bëjë më shumë për këtë popull që të kthehet ndërgjegjja e qytetarëve”, tha ai.
Në kuadër të masave të reja antiCOVID-19, Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 7 mars të lejohet veprimtaria e klubeve të natës, si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve. Gjithashtu, Qeveria ka vendosur edhe për largimin e orës policore./TV Malisheva