Një intervistë vërtet interesante është ajo që Valon Behrami ka dhënë së fundmi për mediet zvicerane. Pikërisht njeriu që sakrifikoi edhe Shqipërinë, vetëm për të bërë një karrierë sa më të madhe duke përfaqësuar helvetikët, shkruan Shqipëria.ch.

Fundi? Ndoshta jo i duhuri, por i merituari. Behrami do të largohej nga Kombëtarja e Zvicrës vetëm me një mesazh, si për të treguar se një huaj gjithmonë do të mbetet i tillë në tokën që nuk i përket. Mesfushori në fjalë zgjodhi që të luante me këtë pjesë, duke llogaritur gjithçka që në fillim.

Por kur e vërteta të vjen në fytyrë, natyrisht që është e vështirë për t’u pranuar. Në një intervistë për “24 heures.ch”. Behrami do të shprehej se nuk e meritonte një fund të tillë. Ndërkohë ajo që është për t’u veçuar mbetej edhe pyetja e gazetarit, i cili e ka provokuar duke i thënë se ka ikur nga lufta e Kosovës, megjithëse njihet si luftëtar:

“Si për vazhdimësi, je gjithmonë si një luftëtar në fushën e lojës. Por ndërkohë ti ke ikur nga lufta e Kosovës. A nuk është kjo paksa paradoksale?”

“Ky është stili im i lojës, unë jap gjithçka edhe nëse trupi im nuk është në gjendje të mirë. Edhe në 50 për qind tim unë jap gjithçka në rolin që kam. Lufta e vërtetë është ajo që prindërit e mi, ikën. Isha 5 vjeç dhe i mbrojtur. Luftëtarët e vërtetë janë ata që e mposhtën atë moment. Pas luftës, futbolli do të lejonte t’i ndihmoja. Gjithkush kishte nevojë për para, u dhashë atyre që të rindërtoheshin. Kjo është më e rëndësishmja që e arrita falë futbollit.

Ekziston një farë kompensimi. Ne jemi gjithmonë pak të huaj. Nuk e harrova historinë. Nëse e di nga kam ardhur, e di edhe sa shumë borxh i kam vendit që më priti dhe sakrificat që bënë prindërit. Normale, kam borxh karrierën time në Zvicër. Por ata që nuk kanë lindur këtu e kanë më të vështirë.

Ne ishim 100 për qind zviceranë vetëm kur fitonim, jo kur humbnim. Në fakt nuk isha unë që ndryshoja, por sytë e njerëzve. Në fund ka një dëm moral, ndoshta meritoja një tjetër mbyllje me Zvicrën nga ajo që ndodhi dhe sesi u trajtova. Një zhgënjim njerëzor”, ka thënë Behrami.

Share.