Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për qasjen e tij në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gërvallës iu kërkua të komentojë deklaratën e udhëheqësve të BE-së pas takimit të 26 tetorit në Bruksel, ku e fajësuan njësoj Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.

Kryediplomatja kosovare u shpreh se kjo nuk është hera e parë që Borrell është shumë i njëanshëm, teksa tha se edhe në të kaluarën është shquar për deklarata që s’e pasqyrojnë realitetin e dialogut.

“Dua ta theksoj edhe një herë se nuk e di për cilin pranim e keni ju fjalën. Unë u përpoqa në detaj t’ju shpjegoj se çfarë ka ndodhur dje, cili ka qenë zotimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër më lejoni të theksoj që Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashme të BE-së nuk është hera e parë që është shumë i njëanshëm në vlerësimin e situatës. Zoti Borrell edhe në të kaluarën është shquar për deklarata të cilat nuk e kanë pasqyruar realitetin e dialogut, nuk e kanë pasqyruar realitetin e qëndrimeve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur dy palë dje. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata në të cilën ndodhemi dhe atë rrugë e ka refuzuar Presidenti i Serbisë dhe t’iu them të drejtën as nuk presim që Presidenti i Serbisë të tregohet konstruktiv në këtë proces”, ka thënë Gërvalla.

Kujtojmë se ministrja e Jashtme edhe më parë ka kritikuar BE-në, për të cilët ka thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, janë ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë.

Të paaftë për të ndërmjetësuar dialogun, e pati quajtur edhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Ndryshe, të enjten kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën në Bruksel në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas përfundimit të takimeve, Borrell ka thënë se “parakushtet e njërës palë kanë qenë të papranueshme për tjetrën” dhe se kjo e ka pamundësuar marrëveshjen.

Në tryezë të diskutimeve ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, si dhe një propozim i ri për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është prezantuar në Prishtinë dhe në Beograd nga diplomacia perëndimore, më 21 tetor.

Në adresime të ndara, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin, ndërsa Vuçiq ka këmbëngulur në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

/TV Malisheva

Share.