Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka dalë me detaje nga Kuvendi zgjedhor, ku Partia Guxo zgjodhi dy kryetarë.

Ajo në Rubikon të Klan Kosovës tregoi se propozimi ka qenë i saj.

“Ky propozim ka qenë ekskluzivisht i imi. Të gjithë kolegëve që ua kam propozuar fillimisht, duke përfshirë edhe Fatonin, kanë hezituar. Që nga zgjedhja e presidentes unë e kam kryesuar partinë deri në kuvendin zgjedhor. Për gjithë kënd ka qenë e qartë që një prej kandidaturave do të jetë e imja, nuk kemi pasur proces të kontestimit të kandidaturës sime”, ka thënë ajo.

Gërvalla tha se partia e re politike kërkon shumë punë dhe shumë angazhim.

“Mendoj që së bashku me kolegun tim Faton Peci kemi mundësi që punët t’i ndajmë në atë mënyrë që as partia, as aktivistët dhe as proceset politike të mos vuajnë nga mungesa e ndonjërit prej nesh”, tha ajo.

Ndryshe, të dy kryetarët do të kenë kompetenca të barabarta, ndërsa zgjedhjen e dy kryetarëve e ka mundësuar statuti i ri i këtij subjekti politik, i cili është miratuar para se të votohet për kryetar.

Guxo kishte mbetur pa udhëheqës nga 4 prilli 2021, kur themeluesja e kësaj partie Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës

 

Share.