Si pasojë e përhapjes së pandemisë së koronavirusit, rënia e remitencave nga diaspora do të jetë alarmante për Qeverinë e Kosovës sa i përket stabilitetit social dhe parashikimeve buxhetore për vitet në vijim.
Për çdo vit pothuajse nga mërgata janë sjellë në Kosovë mbi 1 miliardë euro.
Kështu ka thënë eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për KosovaPress, i cili këtë krizë me pandemi Covid -19, e quan edhe pandemi ekonomike për vitin 2020 dhe 2021, që do të jetë shqetësuese për vendin.
Gërxhaliu: Rënia e remitencave një grusht për stabilitetin social
“Indikatori kryesor në të kaluarën kanë qenë remitencat. Unë kam kundërshtuar gjithmonë raportin që kinse në Kosovë kanë hyrë remitenca çdo vit 700 milionë euro, e kam thënë gjithmonë këto janë vetëm të evidentuara nga sektori bankar. Remitencat po thuajse kanë qenë sa një buxhet i një qeverisë së Kosovës. Dhe në këtë drejtim vet fakti që të gjitha shtetet janë goditur nga koronavirusi, shumë biznese dhe kompani ku kanë punuar mërgata jonë, janë të mbyllura ose është pezulluar aktiviteti ekonomik. E tëra kjo do të reflektoj në rënien e mbështetjes nga diaspora për Kosovën. Por, rënia e tyre ose ulja e nivelit të remitancave për Kosovën do të jenë edhe një grusht i stabilitetit social në Kosovë. Do të jetë edhe një grusht i zhvillimit ekonomik në Kosovë, mbi të gjitha do të bie fuqia blerëse. Për tërë këtë, duhet të gjendet një alternativa si të kompensohet”, thotë Gërxhaliu.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, pohon se pasojat nga kjo pandemi, që ka goditur edhe mërgatën, efektet negative do të jenë të mëdha edhe për ekonominë e Kosovës.
Gërxhaliu: Diaspora në të kaluarën ka luajtur një të çmueshëm
“Tani veç jemi në muajin e katërt, me siguri pasojat në aspektin kohor do të jenë më të gjata. Diaspora në të kaluarën ka luajtur një rol të pa kontestuar, por në të ardhmen besoj se nga efektet negative të koronavirusit do të jetë edhe ajo e atakuar dhe me siguri kontributi i tyre nuk do të jetë siç ka qenë në vitet e kaluara. Prandaj, besoj që institucionet do ta kenë parasysh që kjo është një rrethanë vështirësuese që duhet të bëhet në kalkime ekonomike për vitin 2020 dhe 2021”, thotë ai.
Gërxhaliu në fund thekson se Kosova është e stërngarkuar edhe me frikën dhe me pasojat e koronavirusit dhe me aspektin socio-ekonomik dhe mbi të gjitha sa i përket presionit politik dhe një aktualiteti që nuk është në funksion të stabilitetit dhe krijimit të një perspektive të besimit për të ardhmen