Pas disa ditësh kërkime, sot është gjetur pa shenja jete, 91-vjeçari nga Ferizaj, Ilaz Sejdiu, i cili ishte shpallur i zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij. Fatkeqësisht i moshuari u gjet i vdekur para disa orësh, te Shpella e Burrnikut.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia, me ç’rast kanë njoftuar se tashmë po bëhen ekzaminimet e nevojshme, në vendin e ngjarjes.

“Sot, rreth orës 09:30 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se disa qytetarë në bjeshkët e fshatit Burrnik të Ferizajt, tek vendi i quajtur “Shpella Burrnikut” kanë gjetur trupin e pajetë të personit Ilaz Sejdiut (M/K) i moshës 91 vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga data 17.08.2023 dhe ishte shpallur në kërkim.

Ekipe të policisë, krimteknikët dhe hetuesit rajonal janë në vendin ku është gjetur trupi i tij, ndërsa janë njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për veprime tjera hetimore.

Policia rajonale e Ferizajt falënderon të afërmit e tij, banorët e zonës, “Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim”, vullnetarët nga “Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës”, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Brigadës së Zjarrëfikësve të Ferizajt, zyrtarë të Drejtorisë së Emergjencave të komunës së Ferizajt dhe pjesëtarët e policisë që ndihmuan në gjetjen e personit të zhdukur.”

/TV Malisheva

Share.