Rrahim Ademi, gjeneral tashmë në pension i cili kishte shërbyer në ushtrinë kroate konsideron se rusët dhe forcat e tyre në Ukrainë po shkojnë në drejtim të disfatës së sigurt.

Kjo mbetet vetëm çështje kohe, pohon ai për mediumin kroat “Slobodna Dalmacija”.

Ademi ndër të tjera për mediumin kroat ka thënë se rusët nuk kanë fare strategji lufte dhe se plani i tyre fillestar për pushtimin e Ukrainës ka dështuar pasi qysh në start kanë bërë disa gabime që mund të jenë fatale.

“Me sa shoh unë, duke parë nga larg, rusët nuk kanë fare strategji lufte, por kalojnë si patat nëpër mjegull, duke shkelur dhe duke mos hequr dorë nga asgjë. Kjo u pa veçanërisht në rastin e zbarkimeve luftarake që ata ndërmorën me forca jo shumë të vogla në ditët e para të luftës. Çështja është se trupa të tilla, sado të forta dhe të stërvitura të jenë, nuk mund të mbijetojnë nëse nuk bashkohen me forcat tokësore të cilat ua ruajnë shpinën e të cilat kanë mbetur shumë larg.

Planifikimi i një operacioni për të mposhtur dhe pushtuar një vend dhe popullin e tij nuk është një detyrë e lehtë, por një taktikë komplekse që do të përfshijë forcat e këmbësorisë, artilerisë, ajrore dhe detare, në fakt gjithçka që keni. Deri më tani ata nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, por gjithçka po kthehet në formën më të rëndë të agresionit rus kundër Ukrainës, një krim i tmerrshëm lufte i kryer nga artileria dhe përdorimi i sistemeve raketore kundër objektivave civile. Sisteme të tilla, të cilat përfshijnë lëshues me shumë raketa kundër qytetit dhe civilëve janë të ndaluara sipas të gjitha konventave në veprim sepse ato thjesht nuk janë të destinuara për këtë veprim. Ata janë shumë joprecize në veprimet e tyre dhe për këtë shkak shkaktojnë viktima dhe shkatërrime masive”, tha Ademi.

Ai shprehet se strategjia aktuale ruse, pasi plani i tyre i afërt dështoi, i kujton atij atë që ndodhi në vitin 1991 në Vukovar dhe vazhdoi në Sarajevë vitin e ardhshëm, duke zgjatur gati katër vjet.

“Është thotë ai, në thelb e njëjta strategji rrethimi, por në rastin e Ukrainës dhe qyteteve të saj është edhe më keq për shkak të sistemeve të raketave shkatërruese që zotërohen dhe përdoren nga ushtria ruse, pa u kujdesur për ndonjë ligj lufte.

“Pas tronditjes dhe çorientimit fillestar, ukrainasit u ngritën në këmbë. Falë armëve antitank që kishin dhe filluan të merrnin në sasi edhe më të mëdha, ata arritën të ndalonin avancimin rus dhe t’u shkaktonin atyre humbje jo të vogla. Ajo që u nevojitet në fazën tjetër janë bastisjet, inkursionet, betejat e drejtpërdrejta ndërkohë që forcat ruse janë ende në kolonë dhe jo të dislokuara në sistemin luftarak”, thotë ai.

Për gjeneral Ademin, si dhe për një pjesë të mirë të ekspertëve ushtarakë, në shtatë ditët e para të luftës, enigma më e madhe ishte dhe mbetet autokolona ruse, gjatësia e së cilës matet me dhjetëra kilometra dhe lëviz nga kufiri verior ukrainas në kryeqytetin Kiev.

“Është e qartë se ata qëndrojnë përpara qyteteve aty-këtu, sepse hasin në rezistencë. Ukrainasit i përdorin mirë sistemet e përmendura të dorës për luftime kundër tankeve, ata sulmojnë kolonat, ndërsa potenciali i madh rus nuk arrin të zhvillohet për luftim. E dini, për të hyrë në një qytet të madh, për ta pushtuar dhe për ta mbajtur nën një lloj kontrolli, duhen 100 mijë ushtarë, ndërsa në rastin e Kievit, do të thoshit se janë 200 mijë prej tyre.

Detyra e tyre kryesore është të dalin përpara njësive të blinduara dhe të mbrojnë, të sigurojnë depërtimin dhe më pas ta mbajnë atë të pushtuar. Rusët nuk e kanë atë forcë tani për tani, dhe pyetja është nëse dhe dhe kur do ta kenë. Publiku i zakonshëm mund të mos e shohë, por gjithçka më thotë se rusët në terren kanë probleme me stafin komandues për shkak të mosbindjes së tyre.

Nëse nuk do të ishte kështu, kolona përballë Kievit nuk do të qëndronte për ditë të tëra si e varrosur. Kjo flet edhe për problemet logjistike me të cilat ballafaqohen dhe me shumë gjasa për dezertimin”, tha Ademi.

Rusia ndodhet në ditën e nëntë të pushtimit të saj në Ukrainë

/TV Malisheva

Share.