Janë bërë 1 muaj që prej zhvillimit të ndeshjes së fundit në Superligën e Kosovës në futboll, e gjitha kjo si shkak i përhapjesë së koronavirusit.

Ndërsa, së fundi në Kosovë është debatuar lidhur me pagat e futbollistëve, ndaj të cilëve edhe kërkohet një gjë e tillë, si shenj ndihme ndaj klubeve të cilat po përballen në këtë krizë financiare.

Për këtë çështje ka folur kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj.

Mbrojtësi me shumë përvojë tha se skuadra ku ai luan ka kryer pagesat me kohë.

“Probleme nuk kemi pasur te Liria, përkundrazi neve si lojtarë na kanë dhënë pagat para dy dite, dhe nuk na kanë kërkuar fare zvogëlim të tyre”, tha fillimisht Gjeraj.

“Në skuadër nuk kemi diskutuar për zvogëlim të pagave, edhe pse është situatë e rëndë në këtë pandemi. Nëse do ketë diçka të tillë presim të diskutohet dhe të merret një vendim së bashku”, tha tutje Gjeraj.

Kurse, gjatë ditës së djeshme për Gazeta Olle ishte prononcuar edhe trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu i cili dha një propozim në rast se anulohet kampionati.

Sipas Sejdiut, nëse do të ndodhte kjo gjë, atëherë do të duhej të luanin dy pozitat e fundit në Superligë ndaj dy pozitave të para të Ligës së Parë nga një ndeshje barazhi, dhe fituesi i tyre të luante nga viti i ardhshëm në elitë.

Këtë propozim e ka kundërshtuar futbollisti Gjeraj, që sipas tij nuk është fare e drejtë kjo gjë.

“E kam lexu propozimin e tij, ajo nuk është fare e drejtë dhe as nuk duhet të mendohet sidomos nga një trajner që njeh mirë futbollin, sepse do të ishte e keqe për të gjithë, më mirë me vazhdu ose të anulohet nga zero i gjithë kampionati”, përfundoj Gjeraj.

Share.