“Gjerdani i Artë” – Fitnete Rexha titullohej koncerti i organizuar mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Repertori më i bukur i interpretuar nga mbretëresha e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme Fitnete Rexha u interpretua nga solistët e Ansamblit Popullor: Aranit Hoxha, Iris Bega, Mirela Aliaj, Genciana Paparisto etj.

Të ftuar specialë në këtë koncert ishin edhe këngëtarët : Valbona Mema, Bujar Qamili, Juli Çenko dhe muzikanti Çim Rexha.

Koncerti u ndoq edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shprehet “çfarë atmosfere në skenën e rinovuar të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Një festë e vërtetë, rrethuar me këngëtarët më të dashur të publikut e të tjerë më të rinj, që plot dashuri përçojnë shpirtin e bukur shqiptar, ashtu si dikur edhe e madhja Fitnete Rexha”.

“Një atmosferë që duhej ndarë patjetër me miq, që nuk i thanë “jo” ftesës për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje. Festa vazhdon”, – tha Margariti.

E pranishme në koncert ishte edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Juri Kim, e cila thekson “një mbrëmje e mrekullueshme në përkujtim të këngëtares së muzikës popullore Fitnete Rexha, me këngët e saj të interpretuara mjeshtërisht nga Bujar Qamili dhe Valbona Mema, e të rinj që duan të ecin në gjurmët e saj. Unë e dua Shqipërinë”.

Fitnete Rexha, “Artiste e Merituar”, është një ndër këngëtaret e shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe muzikës popullore qytetare tiranase.

Rreth moshës 15 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura ( 2000) dhe Skënder Reka. Orkestrina përbëhej nga muziktarët Skënder Reka-fisarmonikë, Liu i Nushit dhe Çerçiz Mehmeti-violinë, Reshit Shehu-dajre, Mustafa Zyberi-klarinetë, Riza Selita-kontrabas, Emil Miloti dhe Fadili i Ansamblit të Ushtrisë në kitarë.

Fillimisht filloi punë si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht pranë Ansamblit të Kënëpve dhe Valleve Popullore në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981. Ndër këngët më të bukura të kënduara prej Fitnete Rexhës përmendet “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qenke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. /atsh

Share.