Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe trashëgimtarët e tij
Gjergj Katriotit-Skënderbeut i lindi një djalë, të cilin e pagëzoi me emrin e të atit Gjon, për të nderuar emrin lavdimadh të babait të tij. Lindja e djalit të Gjergjit u festua në mbarë vendin. Kryeheroi kishte edhe një vajzë të quajtur Voisava. Për të kanë folur shumë historian, informacione me shumë rezervë.
Historian të ndryshem e përmendin me emrin Elena dhe e japin të martuar me princin Sollazzi de Bisiganon.
Historianë thonë se pas rënies së Krujes, Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut u strehua në Itali, së bashku me të motrën, shkruan Zefi.
Postimi i plotë pa ndrërhyrje
👉Në muajt e verës së vitit 1456 (1) ose andej nga fundi i këtij viti (2), por ka shumë mundësi më 9 nëntor 1456 (3), Gjergj Kastriotit-Skënderbeut i lindi një djalë, të cilin e pagëzoi me emrin Gjon, për të nderuar e përjetësuar emrin lavdimadh të të atit. Kjo ngjarje e shumëpritur u kremtua në mbarë vendin me festime të mëdha (4). Nëpërmjet një njoftimi të dhënë fillimisht nga M.Orbini (5), më vonë nga C.F.Du Cange (6), për t’u rikthyer në vëmendje sidomos nga C.Padiglione (7), më pas nga A.Foscarini, G.Schirò, A.Serra dhe shumë historianë të tjerë, informacion për të cilin A.Gegaj (😎 së bashku me G.Vallone (9) flasin me rezerva, mësojmë se përveç djalit në fjalë, Kryeheroi kishte edhe një vajzë me emrin “Voisava.” Për këtë vajzë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut flet edhe Fr. A.P.Coco, por në ndryshim nga historianët e tjerë, e përmend atë me emrin “Elena (la principessa Elena Castriota, figlia di Giorgio Castriota)”, dhe e jep të martuar me princin Sollazzi de Bisignano (10). Në të njëjtën linjë qëndron edhe L.M.Ugolini, i cili thotë se Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut, pas rënies së Krujës u strehua në Itali me një motër të martuar me Princin e Bisignano-s, sundimtarin e zotërimeve të ndryshme feudale në Kalabri dhe pas tij erdhën shumë arbër, të cilët mbi të gjitha për të mos iu nënshtruar turqve dhe për të mos ndërruar fenë, u vendosën në Siçili, Kalabri dhe Puglia (11). Në fakt, si Fr. A.P.Coco dhe L.M.Ugolini, kanë gabuar, sepse ata e kanë ngatërruar vajzën në fjalë me një mbesë të Heroit tonë Kombëtar. Bëhet fjalë pikërisht për Irena Castriota Scanderbeg, të bijën e Ferdinand Kastriotit, e cila në vitin 1539 u martua me princin e Bisignano, Pietro Antonio Sanseverino, dhe njihet si dukeshë e San Pietro in Galatina dhe princeshë e Bisignano (12). Nga ana tjetër, C.F.Du Cange shkruan se: “Voissavam, Stephani Maramontis, Ducis Montis nigri, conjugem”, pra Voisava ishte bashkëshortja e Stefan Maramontes, Dukës së Malit të Zi (13). Edhe sipas C.Padiglione vajza e Kryeheroit, me emrin “Vaissava”, është martuar me Stefano Maramonten (14). Në hyrje të veprës së tij, C.Padiglione, ka publikuar një faksimile të letrës drejtuar një pinjolli të Kastriotëve dhe Markezit të Auleta-s, Don Antonio Castriota Scanderbech, por në fund ka publikuar edhe një pemë gjenealogjike të Familjes Kastrioti, ku krahas Gjonit II jepet edhe emri i së motrës, Voisavës (15). Duke u mbështetur kryesisht te njoftimi i C.Padiglione-s, nuk janë të paktë ata autorë, kryesisht italianë, të cilët i kanë mëshuar tezës se Heroi jonë Kombëtar ka pasur dy fëmijë, djalin e mirënjohur, Gjonin II, dhe bijën misterioze, Voisavën, e pagëzuar me emrin e gjyshes së saj, Voisava Tribalda Kastriotit. Edhe në “Enciclopedia Italiana, Treccani”, të botuar nga A.Pernice në vitin 1936, në zërin “Castriòta”, thuhet: “Figli di Giorgio Castriota-Scanderbeg furono Voisava e Giovanni (Fëmijët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ishin Voisava dhe Gjoni – P.Z.),” çka nënkupton gjithashtu se Voisava ka qenë fëmija i tij i parë. Interesant është fakti se njohësi i shkëlqyer i periudhës së Mesjetës dhe një emër me shumë autoritet siç është Prof.Jahja Drançolli, e thotë qartë se “fëmijët e Skënderbeut ishin Gjoni dhe Vojsava (16).” Po ashtu, ekziston edhe një pemë gjenealogjike e Familjes së Kastriotëve e hartuar në vitin 1910, dokument, i cili është njohur zyrtarisht nga Arkivi Qendror i Shtetit Italian dhe nga Konsulta Heraldike, ku krahas Gjonit II Kastriotit jepet edhe motra e tij, Voisava, e cila rezulton të jetë martuar me princin e Malit të Zi, Stefano Balscia Czernojevic. Ky dokument është sjellë në Shqipëri nga një pasardhës i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që jeton në Itali, Giorgio Maria Castriota Scanderbegh, i cili e ka vizituar vendin tonë me ftesë nga Instituti i Diasporës, në Ministrinë e Jashtme. G.M.Castriota Scanderbegh, e ka dorëzuar si në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit të Shtetit, në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, ashtu edhe në Muzeun e Kastriotëve në Sinë të Dibrës etj. Një kopje e kësaj peme gjenealogjike u botua në suplementin “Milosao”, duke nxitur reagimin e disa historianëve. P.Thëngjilli, e cilëson si “një element të ri (17)”, pavarësisht se për ekzistencën e kësaj vajze, siç e kam përmendur më lart, është folur duke nisur që nga viti 1610 nga M.Orbini. P.Thëngjill thotë se kjo e dhënë përputhet me gojëdhënën dhe lë shteg për të menduar se pema gjenealogjike në fjalë duhet të jetë ndërtuar vonë, duke shfrytëzuar edhe gojëdhënat dhe për këtë arsye, sipas mendimit të këtij autori, ky element i ri është pritur si një përpjekje për të falsifikuar të vërtetën (18). I.Gjika është i mendimit se vlera e këtij dokumenti është e patjetërsueshme për Historinë tonë Kombëtare në përgjithësi dhe për Historinë e Kastriotëve në veçanti (19). Kurse nga ana tjetër, Y.Polovina, i cili është njohësi më i mirë i historisë së pasardhësve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nuk ndan të njëjtin mendim, por është i bindur se kemi të bëjmë me një sajesë të historianit pansllav, M.Orbini, por gjithashtu sipas tij, “Vojsava fantazmë” në krye të pemës gjenealogjike të Kastriotëve e paraqitur nga C.Padiglione dhe pema gjenealogjike e sjellë zyrtarisht në Shqipëri nga Giorgio Maria Castriota Scanderbegh, janë thjeshtë fantazi dhe shpikje të motivuara nga interesa të caktuar (20). Edhe varianti se kjo vajzë e Kryeheroit mundet të ketë qenë e jashtëligjshme, bie menjëherë poshtë si hipotezë, sepse të gjithë autorët që mbështesin ekzistencën e saj e japin atë si fryt i martesës së Gjergjit me Donikën, duke mos lënë asnjë shteg për spekulime të kësaj natyre. Natyrisht që pema gjenealogjike e C.Padigliones dhe ajo e G.M.Castriota Scanderbegh meritojnë një ekzaminim më të hollësishëm, por megjithatë, duke përdorur analizën krahasuese me disa pemë të tjera gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe sidomos me ato, që ka paraqitur së fundmi në veprën e tij pinjolli tjetër i Kastriotëve dhe një autor serioz siç është Alessandro Castriota Scanderbegh (21), ku “Voisava” nuk ekziston, është e vështirë të arrihet në një definicion përfundimtar. Por, ajo çka bie më shumë në sy është fakti se për jetëshkruesit klasikë të Heroit tonë Kombëtar, M.Segonin, Dh.Frangun e M.Barletin, për autorin bashkëkohës, Gj.Muzakën, dhe po ashtu, për Andrea Ëngjëll Flav Komnenin, “kjo vajzë” është një personazh krejtësisht i panjohur, sepse ata nuk e përmendin asnjëherë!…
BIBLIOGRAFIA:
1)- J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 78.
2)- A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 36; A.K.Brackob, Scanderbeg: A History of George Castriota and the Albanian Resistance to Islamic Expansion in Fifteenth Century Europe, f. 104.
3)- HAZU (Hrvatske Akademije Znanosti i Umjetnosti): Zbornik Odsjeka za Povijesne Znanosti Zavoda za Povijesne i Društvene Znanosti Hrvatske Akademije Znanosti i Umjetnosti, Volumen 17, Zagreb: 1999, f. 169 “(… 1456 rođen je princ Gjon Kastrioti, Skenderbegov sin).”
4)- J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 78.
5)- M.Orbini, Il Regno de gli Slavi: Hoggi corrotamente detti Schiavoni, Pesaro: 1610, f. 388.
6)- C.F. Du Cange, Historia Byzantina Duplici Commentario Illustrata. Prior Familias ac Stemata Imperatorum Constantinopolitarum, cum eorundem Augustorum Nomismatibus, & aliquot Iconibus. Præterea Familias Dalmaticas & Turcicas completitur etc. Auctore Carlo du Fresne Domino du Cange, Regi a Consillis & Franciae apud Ambianos Quaestore etc., Venetiis: Ex Typographia Bartholomei Javarina, M.DCC.XXIX. (1729), f. 270.
7)- C.Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de’ suoi Discendenti, f. 13.
8)- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 161, shënim 2.
9)- G.Vallone, Periudha pas Skënderbeut: Integrimi i shqiptarëve në institucionet salentine në shekujt XV-XVII, f. 106.
10)- A.P.Coco, Casali Albanesi nel Tarentino. Studio storico-critico con documenti inediti, f. 11.
11)- L.M.Ugolini, Pagine di Storia Veneta ai Tempi di Scanderbeg e dei Suoi Successori, në: “Studi Albanesi”, Volume III-IV, Roma: Istituto per l’Europa Orientale, 1933-1934, f. 12.
12)- A.Castriota Scanderbeg, I Castriota Scanderbeg d’Albania, f. 119-123; P.Petta, Despotë të Epirit dhe princër të Maqedonisë: Mërgata shqiptare në Italinë e periudhës së Rilindjes, f. 49; Shih edhe F.Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: Vështrim i shkurtër historiko-kulturor, f. 98.
13)- C.F. Du Cange, Historia Byzantina Duplici Commentario Illustrata. Prior Familias ac Stemata Imperatorum Constantinopolitarum, cum eorundem Augustorum Nomismatibus, & aliquot Iconibus. Præterea Familias Dalmaticas & Turcicas completitur etc. Auctore Carlo du Fresne Domino du Cange, Regi a Consillis & Franciae apud Ambianos Quaestore etc., Venetiis: Ex Typographia Bartholomei Javarina, M.DCC.XXIX. (1729), f. 270.
14)- C.Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de’ suoi Discendenti, f. 13.
15)- Ibidem, f. 60.
16)- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 134.
17)- P.Thëngjilli, Skënderbeu; Arritje, Mangësi, f. 562.
18)- Ibidem, f. 562.
19)- I.Gjika, Skënderbeu kishte një vajzë, quhej Vojsava, në: Suplementi “Milosao”: Gazeta Shqiptare: 10 korrik 2011.
20)- Y.Polovina, Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën të fshehur, f. 259-275.
21)- A. Castriota Scanderbeg, I Castriota Scanderbeg d’Albania, f. 108-112.
Nga: Paulin Zefi.
Lezhë: 11.02.2023.
/TV Malisheva

Share.