Dhjetë vjet pas largimit nga Bosnje-Hercegovina, ushtria gjermane rikthehet në këtë vend. Qeveria gjermane mori vendimin të dërgojë deri në 50 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës EUFOR/Althea në Bosnjë-Hercegovinë, me objektivin të ruhet stabiliteti në prag të zgjedhjeve të tetorit.
Kontingjenti i parë me 25 pjesëtarë të Bundeswehrit udhëton drejt Bosnjes në muajin gusht, me një mandate të parashikuar fillimisht për një vit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, e argumentoi këtë shtim të prezencës gjermane në rajon me rëndësinë thelbësore që ka për BE-në dhe vendet anëtare stabiliteti dhe siguria në Bosnjë-Hercegovinë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Gjermania do të japë ndihmesën e saj në ruajtjen e stabilitetit në prag të zgjedhjeve, në tetor 2022”, tha ai.
Grupi më i madh opozitar, CDU/CSU e përshëndeti vendimin, por kritikoi numrin e ushtarëve. Folësi i këtij grupi për çështje të politikës së jashtme, Jurgen Hardt, u shpreh në një deklaratë për media, se limitimi i numrit të ushtarëve deri në 50 nuk mjafton. Sipas Hardt, Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte kërkuar një numër më të lartë.
Sinjal më të fortë kanë kërkuar edhe deputetët e partisë së koalicionit qeveritar, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, të cilët kanë përgatitur një projekt-rezolutë, ku kërkojnë një angazhim më të fuqishëm të Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe atë civil.
/TV Malisheva