Në konferencën hapëse të mbajtur këtë javë në Budva, Mali i Zi, u mblodhën rreth 80 ekspertë dhe vendimmarrës nga sektori i energjisë elektrike për të diskutuar temat kryesore, duke shënuar një hap të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt një sektori energjie më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
Udhëheqësi i këtij projekti, Nicolas Heger, në fjalën e tij hapëse tha: “Kur njerëzit mendojnë për energjinë e gjelbër, të gjithëve u shkon mendja te turbinat e erës dhe kulmet solare. Pak prej tyre do t’i konsideronin si diçka të rëndësishme linjat e transmisionit, qendrat e kontrollit ose stacionet tansformative. Kjo do të jetë ajo çka ne dhe partnerët e këtij projekti do të mundohemi të ndryshojmë.”
Gjatë konferencës u bë prezantimi i teknologjisë më të fundit dhe zgjidhjeve për integrimin e rrjetit të energjisë së ripërtëritshme, nga ekspertë gjerman dhe ndërkombëtarë të sektorit energjetik.
Marcus Merkel, këshilltari i lartë në Bordin Menaxhues të kompanisë EWE NETZ GmBH – një operator gjerman inovativ i sistemit të shpërndarjes, theksoi rolin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë për të mbështetur tranzicionin energjetik brenda BE-së dhe në nivel të shteteve anëtare. “Kjo është një sfidë e madhe, për shembull, më shumë se 70% e të gjitha kapaciteteve të reja të ripërtëritshme në BE27+Britania e Madhe, do të lidheshin me këto rrjete. Pra, operatorët e sistemit të shpërndarjes duhet të ndërtojnë shtylla betoni për elektrifikimin e mëtejshëm dhe të përfaqësojnë integruesit kryesorë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.“
Kjo nismë trevjeçare është e përkushtuar për të nxitur një tranzicion energjetik të përqendruar në burimet e ripërtëritshme dhe integrimin e tyre të shpejtë në rrjetet e energjisë.
Projekti i Agjendës së Gjelbër mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
/TV Malisheva