Të mërkurën një grabitje e armatosur ka ndodhur në një argjendari në Therandë rreth orës 15:45, ku si pasojë një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua gjatë aksionit.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të rastit, duke njoftuar se me të marr informatën për një rast grabitje e armatosur”, patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes.
“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se ndërkohë kanë mbërri në vendin e ngjarjes edhe përforcime të tjera policore dhe se nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera rajonale thonë se janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu, ka dhënë detaje shtesë në lidhje me grabitjen e armatosur në Therandë.
Ai ka bërë të ditur se nga ky incident përveç një polici të plagosur, ka mbetur edhe një tjetër i lënduar.
“Grabitësit kanë plagosur një polic. Kanë dëmtuar veturën e Policisë. Kanë arritur të marrin një sasi të arit në argjendari, pronari i lokalit nuk është i lënduar. Në këtë rast ka pasur shkëmbim zjarri në mes Policisë e grabitësve, edhe një polic që ka gjuajtur në drejtim të grabitësve është i lënduar në krah, por jo si pasojë e armës së zjarrit”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se të dyshuarit kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë të gjata me vete dhe një veturë hiri që rezulton të jetë me targa të vjedhura.
“Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar të jetë e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, ka vijuar ai.
/TV Malisheva