Policia në Malishevë ka arrestuar dy persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje (N.K. dhe G.K.), pasi të njëjtit dyshohet se gjuajtën me armë zjarri gjatë një ahengu familjar, raporton TV Malisheva.
Policia i ka arrestuar pasi kishte pranuar informacion përmes rrugëve operative dhe hetimore se në fshatin Bubavec të Malishevës, në një aheng, kishte pasur të shtëna me armë zjarri.
Gjatë kontrollës janë gjetur dy pushka dhe dy pistoleta.
“Në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata janë sekuestruar një pushkë automatike AK47 me një karikator, një pushkë gjuetie, dy pistoleta me nga një karikator dhe 105 fishekë të lloje të ndryshme si dhe një gëzhojë. Lidhur me rastin, në cilësinë e të dyshuarve, janë arrestuar dy persona: N.K., shtetas i Republikës së Kosovës, lindur në vitin 1960 dhe G. K., shtetas i Republikës së Kosovës, lindur në vitin 1993” – thuhet në njoftim.
Të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar rast penal “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.