Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka pritur në takim presidentin e zgjedhur, Jakov Millatoviq. Dy ditë para ceremonisë së betimit, Gjukanoviq i ka uruar pasardhësit të tij mandat të suksesshëm dhe që nga pozita e presidentit të kontribuojë në realizimin e interesave kombëtare të vendit.

Gjukanoviq ka thënë se praktika e tranzicionit demokratik të pushtetit është e mirëseardhur në rritjen e kulturës demokratike në Mal të Zi.

Ai ka theksuar nevojën për vazhdimin e rrugës euro-integruese të Malit të Zi.

Gjukanoviq: Praktika e tranzicionit demokratik të pushtetit është e mirëseardhur në Mal të Zi

“Ideja e atij dialogu ishte të kontribuojë në tranzicionin demokratik të kësaj pjese të pushteti, të kontribuojë në vazhdimësinë institucionale përmes bisedës nga pozita e Presidentit të Shtetit të Malit të Zi. Mendoj se si praktikë është e mirëseardhur dhe hedh dritë shtesë mbi kapacitetin në rritje të kulturës demokratike në Mal të Zi. Bisedat ishin sigurisht interesante, biseduam për shumë tema, folëm mbi të gjitha për kornizën politike rajonale evropiane dhe globale në të cilën Mali i Zi duhet të përpiqet të realizojë interesat e tij kombëtare në periudhën e ardhshme. Gjithashtu folëm në detaje për shumë aspekte të politikës së brendshme, u pajtuam se ka shumë sfida përpara Malit të Zi dhe se është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të konsolidojë sa më shpejt stabilitetin të brendshëm politik, të ripërtërijë angazhimin për reforma, në mënyrë që të jetë në gjendje të përparon drejt qëllimit të saj evropian sa më shpejt që të jetë e mundur. Pozicioni i presidentit në atë politikë është shumë i rëndësishëm dhe me shumë ndikim, besoj se kështu do të jetë edhe në periudhën e ardhshme, besoj se Mali i Zi do të vazhdojë të ecë me sukses në rrugën e zhvillimit evropian”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidenti i zgjedhur,Jakov Millatoviq, ka thënë se tranzicioni demokratik i pushtetit është një shembull i mirë për Malin e Zi.

Milatoviq: Këto bisedat tona janë shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit

“Këto bisedat tona janë shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit, në fund qytetarët e Malit të Zi thanë se çfarë mendojnë për politikën e zotit Gjukanoviq dhe për politikën time në zgjedhjet demokratike që përfunduan me dy prill, kështu që na takoi të dyve të tregojmë dhe të japim një shembull të praktikës së mirë demokratike, si duhet në në të ardhmen Malin e Zi, si në të ardhmen në Malin e Zi duhet të realizohet kalimi i pushtetit, që në këtë mënyrë ti përcjellim një shembull të mirë edhe Bashkimit Evropian që shoqëria jonë është mjaft e pjekur që në pesë vitet e ardhshme ta zë hapin për anëtarësimi të plotë në Bashkimin Evropian dhe ta rrumbullakoj politikën tonë të jashtme si të tillë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj zotin Gjukanoviq për diskutimet konstruktive, ju e dini që jemi konkurrentë dhe kundërshtarë politikë, por në fund të fundit edhe me këto diskutime kemi treguar se mbi të gjitha jemi të përkushtuar për rolin dhe funksionin shtetëror që ka kryer deri më tani z. Gjukanoviq dhe që unë tash e tutje do ta kryej”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Malit të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm, që sipas tij Mali i Zi duhet të ketë një qeveri reformiste, stabile dhe të kthejë vendin në rrugën evropiane.

Milatoviq: Mali i Zi duhet të ketë një qeveri reformiste, stabile dhe të kthejë vendin në rrugën evropiane.

“Na presin zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, për të gjithë në Mal të Zi është e rëndësishme që ato zgjedhje të zhvillohen në kuptimin demokratik, që nga kjo Mali i Zi të ketë një qeveri politike reformiste, stabile, e cila do ta kthejë vendin në rrugën evropiane, e cila do të fokusohet gjithashtu në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe që sigurisht do të vazhdojë me reformat ekonomike që filluan diku edhe pas atyre ndryshimeve të mëdha që ndodhën në vitin 2020”, ka shtuar ai.

Ceremonia e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Jakov Milatoviq, do të mbahet të shtunën, më 20 maj, në Kuvendin e Malit të Zi, ku pritet të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

/TV Malisheva

Share.