Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka vizituar rrugën “Jim Xhema” në Prishtinë, dhe nga aty ka treguar edhe njëherë rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj rruge për të gjithë qytetarët.
Sipas tij, fillimisht rëndësi ka për banorët e lagjes “Kalbria”, të cilët ankohen për kundërmimin e ujërave të zeza tash e 11 vjet.
“Ndërtimi i rrguës ‘Jim Xhema’ zgjidh problemin serioz dhe shumëvjeçar të kolektorit. Banorët e lagjes “Kalabria” dhe “Prishtina e Re” janë ankuar me të drejtë për rrezikshmërinë e lartë të kanalizimit të hapur”, ka deklaruar Rama.
Po ashtu, ai ka thënë se ndërtimi i rrugës “Jim Xhema” apo “A”, do të shkarkojë trafikun e kryeqytetit.
“Rruga ‘Jim Xhema’ do të shkarkojë dukshëm trafikun në kryeqytet, pasi do të ndërlidhë lagjen ‘Kalabria’ me lagjen ‘Prishtina e Re’. Gjithashtu edhe pjesa e rrugës ‘B’ do të lidhet me rrugën ‘Jim Xhema’. E në anën tjetër, do të lidhet me Unazën e re të kryeqytetit”, ka shtuar kryetari.
Andaj, ka thënë se duke qenë se ndërtimi i kësaj rruge zgjidh shumë probleme, punimet në ndërtimin e rrugës duhet të vazhdojnë sepse” interesi publik është më i rëndësishëm se interesat politike e partiake”.
“Infrastruktura e re në Prishtinë, si kryeqytet i vendit, i shërben gjithë Kosovës. Kryeqyteti është i të gjithëve pa dallim. Transformimet për të mirën e përgjithshme nuk do të ndalen”, ka përfunduar Rama.
/TV Malisheva