Pas akuzave për ndërhyrje politike lidhur me vendimin për punimet në rrugën A ka reaguar Gjykata Komerciale.
Nga kjo Gjykatë thonë se “retorika e mediave” dhe “deklaratat e politikanëve” mund të kenë ndikim në opinion publik dhe në besimin në institucionet gjyqësore, prandaj sipas Gjykatës është e rëndësishme të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe mos paragjykimit të tyre.
Në reagimin e Gjykatës Komerciale thuhet se palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta gjyqësore prandaj s’duhet paragjykuar çështja pa marrë epilog përfundimtar.
“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”, thuhet në reagim.
“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, vazhdon reagimi.
/TV Malisheva