Me të marrë detyrën e ushtrueses së detyrës së Kryeshefes Ekzekutive të Telekomit të Kosovës për herë të dytë, Burbuqe Hana kishte vendosur të ndërprejë 31 kontrata të punës pa përfillur proceduat ligjore, si dhe në kundërshtim me vendimin e bordit të drejtorëve. Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se vendimi ka qenë i kundërligjshëm, kur ka trajtuar individualisht rastin e një pale të dëmtuar.
Gazeta Insajderi ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës së datës 28 shtator të këtij viti, ku është aprovuar si pjesërisht e bazuar kërkesëpadia e paditëses B.T.
Në aktvendim thuhet se “në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet se me vendim një kontratë e marrëdhënies së punës mund të revokohet”.
“Gjykata çmon se mënyra e revokimit të kontratës së punës me vendim është një veprim i pa mbështetur në ligj, pasi që me asnjë dispozitë ligjore pozitive nuk është përcaktuar se kontrata mund të ndërpritet me revokim përmes një vendimi. Ligji i Punës, si ligj i zbatueshëm në rastin konkret ka përcaktuar saktë mënyrat e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, ndërsa mënyra që përmes revokimit me vendim nuk është e përcaktuar me këtë ligj”, thuhet tutje në aktvendim që ka parë Insajderi.
Me këtë, Gjykata e Prishtinës ka kërkuar që Telekomi i Kosovës t’ia kompensojë diferencën e të ardhurave personale, të trustit pensional dhe tatimit në pagë për periudhën 18.06.2021-28.02.2022. Po ashtu, Telekomit iu është kërkuar që të kompensojë edhe pagat e humbura.
Kryeshefja aktuale kur kishte ardhur për herë të dytë në pozitën e ushtrueses së detyrës më 2021-ën, kishte vendosur që të ndërprejë 31 kontrata. Ky vendim përveç që ishte i kundërligjshëm, s’ishte as në përputhje me atë të Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes.
Bordi i Drejtorëve të Telekomit përmes një vendimi të ndërmarrë më 2021-ën parashihte se të gjithë të graduarit me vendime për pozitën aktuale të kthehen në kontratën bazë të punës.
“Në të gjitha të gjeturat e ZKA të vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 për lëvizje të stafit të cilët/at kanë kaluar prej njërës gradë/pozitë në gradën/pozitën tjetër me vendime deri në një vendim tjetër, të kthehen në kontratën bazë të punës, përjashtim rasteve të degradimeve”, thuhej në vendimin që ka parë Insajderi.
Për ndërprerjen e 31 kontratave nga ana e Hanës kishte tërhequr vërejtje edhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Në raportin e auditorit thuhet se 31 të punësuarve që iu kishte ulur gradimi kishin kontratë pune me afat të caktuar.
“Bordi i Drejtoreve Me datë 18.06.2021 kishte marrë vendim që për punësimet e vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 të cilët janë graduar me vendime dhe nuk kanë kontratë pune për pozitën aktuale të kthehen në kontratën bazë të punës. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2021 ishin bërë 296 lëvizje të punonjësve nëpër pozita dhe grada (275 raste ju është ulur grada/pozitë ndërsa 21 raste janë rritur në gradë/pozitë). Testimet tona tregojnë që ulja e gradave ishte bërë edhe për 31 të punësuar të cilët kishin kontratë pune me afat të caktuar”, thuhej në të gjeturat e ZKA-së për Telekomin për vitin 2021.