Kosova aktualisht gjendet në prag të zgjedhjeve të parakohshme që mbahen më 6 tetor.

Paralelisht me proceset politike aktualitet në Kosovë është edhe Gjykata Speciale dhe ftesat për intervistim për ish-pjesëtarët e UÇK-së

Ndonëse Prokuroria e Specializuar në Hagë nuk ka ngritur ende aktakuzat e para, e njëjta në Kosovë ka dërguar ftesa për profile të larta të ish-komandantëve të luftës, përfshirë edhe ish-kryeministrin Haradinaj, si dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në Kosovë, mirëpo edhe në Beograd, po pretendojnë se zgjedhjet e parakohshme dhe fushata kanë interferuar në punën e Speciales.

Madje, në Serbi po thonë se aktakuzat e para ngriten pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë.Mirëpo, pretendimeve të tilla i ka dhënë fund vetë Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Në një përgjigje për lajmi.net, ata kanë treguar ekskluzivisht nëse zgjedhjet e parakohshme kanë ndikuar në ftesat apo punën e Prokurorit të Specializuar.

Christopher Bennet, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Prokurorisë në Hagë, ka thënë për lajmi.net se Specialja vazhdon hetimet dhe punën e saj në çdo kohë, në mënyrë që të përmbushet mandati i saj.

“Dhomat e Specializuara të Prokurorisë vazhdojnë hetimet dhe punën e saj në çdo kohë, në mënyrë që të përmbushet mandati i saj”, ka thënë Bennet në pyetjen e lajmi.net nëse zgjedhjet e parakohshme ndikojnë në punën e këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë.

Madje, njohës të çështjeve të Gjykatave Ndërkombëtare, dhe avokatë të akredituar nga Specialja, po paralajmërojnë se Specialja mund t’i ngrisë aktakuzat e para edhe para zgjedhjeve.

Ky institucion ka mandat deri në vitin 2020. Kuvendi i Kosovës në vitin e ardhshëm pritet të vendos nëse të njëjtit do t’i vazhdohet mandati edhe më tutje.

I fundit që është intervistuar nga Specialja është Sokol Bashota. Pas kthimit në Kosovë, ai tha se i është ofruar marrëveshje e dëmshme për UÇK-në, dhe e favorshme për të në rast të një procesi gjyqësor.

Share.