Gjykimi ndaj Qëndrim Januzit, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit të kaluar vazhdoi me rrëfimet e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e Januzajt.

Fahri Drevinja u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, për raportin që e kishte bërë lidhur me gjendjen emocionale të të panehurit Januzi më 17 prill të vitit të kaluar.

“Djaloshi ka qenë me ngarkesë emocionale, nëna e tij më dhënë të dhëna lidhur me gjendjen e tij”, tha ai para trupit gjykues.

Vizita e të akuzuarit te mjeku në fjalë kishte qenë 20-30 minutëshe, dhe kishte pasur karakterin e vizitës ambulantore.

Ai dha mendimin se i akuzuari duhet t’i nënshtrohet një ekpsertimi detal psikiatrik me ekip prej punëtori social, psikologu.

Pas dëshmisë së mjekut, avokati Vërtopi kërkoi zbatimin e ekzaminimit psikiatrik të paaftësisë mendore, dhe ekspertët që kryejnë ekzaminim në fjalë të dëgjohen edhe në gjykatë.

“Ankthi e bjen personin shumë më lehtë se të cilido person i shëndoshë te afekti, e afekti e bjen personin te tronditja e fortë mendore” , u shpreh Vërtopi para gjykatës.

Ky propozim për ekzaminim u aprovua nga gjykata.

Përveç mjekut, u dëgjuan edhe 3 dëshmitarë me rradhë, ndër ta shokë të të pandehurit e edhe punëtori i vëllait të të pandehurit, rep-këngëtarit “Buta”.

Sipas shokëve Besnik Berisha, e Labinot Larinovci, i pandehuri kishte marrë kërcënime të vazhdueshme nga tanimë i ndjeri Gazmend Hyseni.

Tutje, dëshmitari Besnik Berisha tha se i pandehuri ka dërguar njerëz të pajtoheshin, por i ndjeri nuk kishte pranuar, duke shtuar se i ndjeri i kishte thënë se “ ju keni bo pare mu m’keni la përmas”.

Natën kritike Berisha tha se kishte qenë afër përafërisht 50 metra larg vendit të ngjarjes, në lokalin e quajtur “Babilon”.

Kurse, dëshmitari Rinor Bajrami dëshmoi se kishte pasur marrëdhënie pune më vëllain e Qëndrimit, Betim Januzin i njohur si “Buta”, duke punuar në cilësinë e shoferit për të.

Ai tha se kur kishin qenë duke u kthyer nga koncerti, natën kritike e kishte parë të ndjerin së bashku me 3-4 persona rrugës gjersa po shkonte në parking për ta lënë veturën.

Gjykimi për këtë rast është shtyer në kohë të pacaktuar, ku do dëgjohen dëshmitarë të radhës të propozuar nga pala mbrojtëse.

Në këtë rast  ishte dëgjuar edhe prindi i viktimës, Vehbi Hyseni i cili kishte thënë se vrasja e djalit të tij ishte bërë në mënyrë tinëzare dhe nuk kishte pasur dijeni se djali i tij dhe i akuzuari kishin pasur mosmarrëveshje.

Përveç prindit të viktimës, ishte dëgjuar edhe vëllau i të akuzuarit, Betim Januzi i njohur për publikun si “Buta” i cili para gjykatës kishte rrëfyer se makina e djegur nuk kishte qenë motiv i vrasjes, por sipas tij tani i ndjeri Hyseni e kishte kërcenuar atë dhe vëllain e tij edhe me vdekje.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, para hyrjes së marketit “E… M…”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin, duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.

Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.

Rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Habib Zeqiri kryetar, dhe anëtarë Ilir Bytyci dhe Fitore Daci.

Kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurori Ismet Rrahmani.

Seanca ku ishin shfaqur pamjet e vrasjes kishte qenë e mbyllur për pubikun.

I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë. Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e Policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.

Ai ngarkohet me veprën penale – vrasje e rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

/TV Malisheva

Share.