Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh kundershtinë me rrjedhjen e procesit përzgjedhës për Avokatin e Popullit në Kuvendin e Kosovës.
GLPS në takimet me anëtarët dhe kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka insistuar nga fillimi që ky proces të jetë i bazuar në standarde të qarta të matjes së profesionalizmit, integritetit dhe aftësisë udhëheqëse të kandidatëve.
Është kjo arsyeja pse një proces i tillë është përfshirë edhe në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Ambasades së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Edhe pse GLPS që një kohë të gjatë u ka propozuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut një metodologji të krahasuar se si zhvillohet një proces i tille në vende të zhvilluara demokratike, dhe se si të bëhet një proces i tillë i bazuar në kritere objektive dhe të matshme, shumica e anëtarëve dhe kryetarja e komisionit në vazhdimësi e kanë refuzuar një propozim të tillë.
Mënyra se si i zhvillua intervistimi formal me kandidatë ditën e djeshme nga Paneli Vleresues i Komisionit për të Drejtat e Njeriut ishte tërësisht joprofesional, i shoqëruar me pyetje të gjera që nuk kanë asnjë signifikancë serioze në identifikimin e profesionalizmit të kandidatëve dhe në një diskrecion total për anëtarët që sipas ‘bindjes së tyre politike’ të gjykojnë se cilët kandidatë janë më të pershtatshëm për pozitën e Avokatit të Popullit.
Paneli vleresues nuk dha asnjë përgjigje se çfarë vlerësuan dhe pse kandidatët e mbajtur fshehtë nga ta janë përzgjedhur në listë të ngushtë.
Një fakt i tillë është seriozisht shqetësues dhe në kundërshtim të plotë me ligjin për Avokatin e Popullit, i cili insiston në një proces objektiv përzgjedhës.Për më tepër, Paneli Vlerësues e mbylli për monitoruesit e shoqerisë civile dhe ata ndërkombëtar mbledhjen e Panelit Vlerësues kur erdhi momenti i dhënies së pikëve dhe vendosjes.
Një moment i tillë është krucial për transparencën dhe integritetin e procesit. Pse duhet Paneli Vlerësues të përjashtoj shoqërinë civile nga momenti i vënies së pikëve? Pse duhet që Paneli Vlerësues të mos ketë as edhe një kriter të vetëm profesional që ndërlidhet me indikator të matshëm për të vlerësuar përshtatshmërinë e kandidatëve?
Si është e mundur të ndodh përjashtimi i shoqërisë civile në një mënyrë të turpshme nga monitorimi i procesit? Si është e mundur që një proces serioz i intervistimit të zhvillohet mbi bazën e një numri pyetjesh që më shumë i ngjajnë një përshkrimi të përgjithshëm sesa një procesi vlerësimi.
Për këto pyetje ka vetëm një përgjigje: kultura e kapjes, e shoqëruar me një tendencë serioze të manipulimit të fshehur, që është shëndrruar në normalitet në Republiken tonë.
Prandaj, i kërkojmë Kuvendit të anuloj këtë proces dhe ta ri-zhvilloj në përputhje me Memorandumin e nënshkruar me Ambasaden Britanike, ku ekspertët britanikë do të jepnin një vleresim objektiv për secilin kandidat; dhe me një pjesëmarrje të pakufizuar e jo-përjashtuese ndaj shoqërise civile e organizatave ndërkombëtare./Tv Malisheva