Sipas mediave britanike, pesë muaj para vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, Princi i Kurorës Saudite, Muhamed bin Salman hakoi celularin e pronarit të Washington Post, për të cilin punonte Khashoggi.
Duke iu referuar dëshmisë së ekspertëve që po hetojnë këtë temë, Guardian shkruan se Bin Salman hakoi telefonin celular të Jeff Bezos, pronar i Washington Post dhe Amazon përmes një video-mesazhi.
Ekspertët pretendojnë se video-mesazhi i dërguar nga Bin Salman te Bezos përmes WhatsApp ka shumë të ngjarë të përmbajë kode malicioze.
Guardian shkruan se ishte një video-mesazh i marrë nga Bezos më 1 maj 2018 dhe se pjesa më e madhe e përmbajtjes u hoq më pas nga telefoni i tij.
Pesë muaj pasi u hakua telefoni i Bezos, gazetari Khashoggi u vra dhe nëntë muaj pas kësaj, National Enquirer filloi të botojë lajme për detaje nga jeta private e Bezos. I njëjti burim pretendon se Princ Bin Salman është i afërt me pronarin e National Enquirer, David Packer.
Ekspertët të cilët folën për Guardian argumentojnë më tej se Princi Bin Salman, me sulme të tilla ndaj Bezos, ka të ngjarë të përpiqej të parandalojë kritikat nga Washington Post për llogari të tij dhe se kjo do të shkaktonte një trazirë të madhe nga Wall Street në Silicon Valley.
Gazetari Jamal Khashoggi u vra më 2 tetor 2018 në konsullatën saudite në Stamboll, ku ai shkoi në një takim të planifikuar atë ditë për të marrë dokumentet e nevojshme për dasmë.
Pas disa ditësh mohimi, autoritetet e Arabisë Saudite kanë pranuar se Khashoggi ishte vrarë, dhe më pas një gjykatë saudite dënoi pesë persona me vdekje. Tre të pandehur të tjerë u dënuan me gjithsej 24 vjet burg. Bashkëpunëtorët e afërt të princ Bin Salman janë liruar nga të gjitha akuzat.
Komisionari i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), në një raport prej 101 faqesh, pretendon se vrasja e Khashoggi ishte një veprim i paramenduar nga Arabia Saudite. Raporti thotë se ekzistojnë prova të vlefshme për nevojën për të hetuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë sauditë në vrasje, përfshirë princin Bin Salman, transmeton TV Malisheva