Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se me dokumentet e dërguara në zyrat e organizatës është ngritur kurth ndaj tij, Nasim Haradinajt dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, Gucati ka thënë se me organizimin e konferencave për shtyp në shtator të vitit të kaluar nuk kanë synuar të publikojnë emra të dëshmitarëve por të tregojnë bashkëpunimin e Gjykatës Speciale me kriminelët serbë.

Ish-kreu i OVL-UÇK ka thënë se nuk e di si kanë rrjedhur dokumentet nga Specialja por ka theksuar se i ka ftuar hetuesit e Speciales që të zbulojnë personin i cili i ka dërguar dokumentet në zyrat e organizatës.

“Dëshira ime më e madhe është, e imja personale por besoj edhe e shokëve të mijë, që të zbulohet ky rast pikërisht nga prokurorët e nderuar që kush i qiti këto dokumente nga zyrat e tyre. Mund të jetë një njëri i tyre që këta nuk duan ta bëjnë zbulimin kështu që unë kam dëshirën më të madhe dhe u kam bërë ftesë publike në atë kohë hetuesve të Gjykatës Speciale që ta zbulojnë njeriun i cili më qiti në kurth mua dhe organizatën e veteranëve me ato dokumentacione. Unë këtë e llogariti një kurth ndaj pjesëtarëve të UCK-së dhe ndaj meje dhe Nasim Haradinajt dhe gjithë shokëve tonë”, ka thënë Gucati.

Hysni Gucati po përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtjes në ditën e parë të dëshmisë së tij pas më shumë se një viti qëndrimi në paraburgim në Hagë.

“Ne kemi dashur të tregojmë që Gjykata Speciale po bashkëpunon me gjykatat serbe, bashkëpunon me disa kriminelë serbë, bashkëpunon me Milovan Drecun, kjo ka qenë arsyeja që ne kemi dashur të tregojmë të vërtetën tonë pse ne kemi qenë kundërshtarë, se ne kemi pasur probleme edhe në Kosovë me disa zyrtarë apo disa persona të cilët kanë thënë pse po e kundërshtoni Gjykatën Speciale. Ne për t’i bindur qytetarët e Kosovës, për t’i bindur Parlamentin e Kosovës se çka kanë votuar, t’u tregojmë se kjo gjykatë bashkëpunon me këta kriminelë serb, sidomos me Milovan Drecun kur i tërë opinion kosovar dhe serb e njohin kush është Milovan Drecun. Kjo ka qenë arsyeja jonë se ne nuk jemi kundër drejtësisë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se nuk kanë treguar emra të dëshmitarëve.

“Nuk e besoj që ndonjë gazetar profesioniste apo edhe amator, apo unë si Hysni Gucati apo si Nasim Haradinaj, apo kryesia, të jemi aq të marrë që tregojmë një emër të një dëshmitari. Edhe kur kemi biseduar me gazetarët ne kemi thënë çdo send përmbylle, mund të deklarosh që këtu ka dokumentacione falso por jo të përmenden dëshmitarët, sepse privatësia e çdo njeriu në botë është e mbrojtur dhe dëshmitarët duhet të jenë të mbrojtur, këtë e kam edhe nëpër transkriptet që mund t’i shihni që gjithmonë kam kërkuar që dëshmitë dhe dëshmitarët të mbrohen dhe të ruhen”, ka thënë Gucati.

Gucati është përgjigjur për ngjarjen e datës 7 shtator 2020, ku për herë të parë në zyrat e OVL-UÇK, nga një person i panjohur ishin dërguar dokumente që dyshohet se kishin rrjedhur nga Specialja.

Gucati ka thënë se më datë 7 shtator, bashkë me Nasim Haradinajn dhe Faton Klinakun ndodhej në zyrën e tij në organizatë kur sekretarja e organizatës Taibe Myftari i kishte njoftuar se një person i maskuar e ka lënë një paketë në recepsionin e organizatës.

“Taibja i ka rënë derës shumë me forcë, sepse vajza është frikësuar se nuk ka ndodhur më herët në organizatën tonë dhe më një bërtitmë të një zëri që ende e ndijë në veshin tim që kam menduar që ndonjë bombë në atë paketë, ka ardhur na është drejtuar, ka ardhur një person i maskuar dhe e ka lënë një paketë mbi tavolinën time dhe ka ikur. Kjo ka qenë e tëra në ato momente. Pas asaj kohe ne e kemi mësuar që ai kishte thënë që do t’u sjell prap paketa dhe kjo paketë është për ata që flasin në televizion, kështu ka qenë”, ka thënë Gucati.

Personin ka thënë se e ka parë vetëm në kamera.

“Tash me qenë i sinqertë, ishte rasti i parë që kishte ndodh, ishte befasi, dhe ju kemi afruar paketës shumë ngadalë dhe ndoshta për ju është si në humor por unë do të them si ka ndodhur kjo e vërtetë, kjo është edhe në kamera, me një ‘shtagë e kemi shpaluar paketën, kemi hequr një pjesë dhe kemi parë që ka dokumentacione se nuk kemi guxuar t’i afrohemi paketës për shkak të frikës se mos ka ndonjë bombë se dihet që Kosova ende rrezikohet nga armiqtë e saj që ka kështu që ne jemi tutë dikush ka pru ka montu ndonjë bombë që mund të eksplodojë në ndërtesën tonë.

Ai ka treguar që kanë parë që ka pasur materiale mbi të cilat sipas tij ishte vendosur një letër në të cilën thuhej se do të silleshin edhe shtatë mijë dosje të tjera.

Këtë shënim, Gucati ka thënë se nuk e ka ruajtur, çka sipas tij ka qenë veprim i gabuar.

Gucati ka thënë se aty kanë vendosur që të ftojnë mediat për t’i informuar rreth kësaj ngjatje.

Sipas tij, dokumentet mund të kenë arritur nga një person i cili do të mund të shpërndante të tilla nëpër vende të tjera dhe përgjegjësia t’i mbetej organizatës, andaj, Gucati ka thënë se kanë dashur që përmes mediave të heqin përgjegjësinë e këtyre dokumenteve.

Ai ka thënë se askush në organizatë nuk i ka kopjuar ato dokumente.

Dëshmia e Gucatit para Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të zgjasë dy ditë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Share.