Dëshmitarja Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.

Deklarata e saj, erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës.

“Këtë që thua e kuptoj, por nuk e kuptoj që në Kukës ka pas krime dhe jam e bindur që aty nuk ka pas krime”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Ajo tha se nuk i intereson të dëgjojë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb e po ashtu sipas saj edhe thashethemet e Gjykatës Speciale.

“Unë arrij në përfundimin që sapo thash se nuk kam dëgju kurrë nga askush që ka pas gjëra të tilla në Kukës dhe unë kam të drejtë ta ruaj mendimin tim të bazuar në këtë që ajo çka po thoni ju ndalesë në Kukës është sajesë e Shërbimit Sekret Serb, prandaj nuk me interesojnë gjërat e tilla t’i lexoj. Unë nuk kam dëgju kurrë që ka pas gjëra të atilla aty. Sikur ta kisha dëgju prej dikujt, unë do të ua thosha me sinqeritetin më të madh, por unë nuk kam dëgju. Nuk kam informatë që aty ka pas diçka. Nuk i dëgjoj dhe as nuk i lexoj thashethemet e kësaj gjykate që kanë shqitë nga ajo për të cilën është formu”, tha Hadergjonaj.

Këtë deklarim, ish-deputetja e bëri pasi avokati Laws e pyeti nëse për rastin në Kukës ka ardhur në këtë përfundim, për shkak se nuk i ka lexuar materialet e kësaj çështjeje.

“Po e them, edhe dje, po e them edhe sot materialet e kësaj çështje nuk i lexoj sepse janë sajesa të Shërbimit Sekret Serb dhe nuk dua as me i lexu. Zotri avokat, unë që jam ulë këtu si dëshmitare jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe kërkush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu. Kurrkush nuk po më mbron mua…okej”, tha Hadergjonaj, derisa ia ndërpreu fjalën kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia.

Ish-deputetja Hadergjonaj thotë që s’e di nëse Time Kadrijaj do dëshmojë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

(Përditësuar, ora 11:08)- Dëshmitarja Safete Hadergjonaj gjatë dëshmisë së saj është pyetur për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, teksa tha se nuk e di nëse ajo do të dëshmojë në këtë çështje.

Këtë deklaratë, Hadergjonaj e bëri pasi u pyet nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, nëse e di që Kadrijaj do të ofrojë dëshmi në këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e di”, u përgjigj shkurt Hadërgjonaj, duke shtuar se Kadrijaj është nga deputete e Kuvendit të Kosovës.

“Unë me sa di ajo jeton në Deçan a në Prishtinë, ajo është deputete në Parlamentin e Kosovës, nuk e di ku e ka vendqëndrimin. Fshati i origjinës është Restavicë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj, e cila shtoi se nuk e di se sa larg është vendi i saj i origjinës me atë të Kadrijajt.

Ndërsa, e pyetur nëse ka mësuar ndonjëherë që të japë ndihmën e parë, Hadergjonaj e mohoi një gjë të tillë.

“Zotëri avokat, kurrë në jetën time nuk kam mësu se si jepet ndihma e parë dhe as sot nuk di se si jepet ndihma e parë, e them me përgjegjësi dhe nën betim”, tha dëshmitare Hadergjonaj.

Hadergjonaj tha se edhe kur ka qenë mësuese nuk ka pasur rastin që të mësojë të ofrojë ndihmën e parë.

“Unë kam qenë mësuese e lëndëve ekonomike dhe s’kam pas lidhje me asgjë që ka të bëjë me shëndetësinë, mjekësi apo më gjerë”, shtoi ajo.

Ndryshe, pas pyetjeve për Time Kadrijajn, me kërkesën e avokatit mbrojtës të viktimave, seanca kaloi në sesion privat.

Shala për Hadergjonajn: E ka involvuar Prokuroria me dëshmi të rrejshme, ne e kemi ftuar për sqarime

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po e vazhdon dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj, ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës. Ky i fundit, tha se Hadergjonaj është involvuar në çështjen ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me deklarata të rrejshme.

“Vetëm për sqarim, nuk është që ekipi im e ka ftuar, por e ka involvuar Prokuroria më dëshmi të rrejshme e ne jemi vetëm për sqarim. Nuk është që e kemi ftu ne dhe e kemi involvu ne. Ne e kemi ftu për të sqaru deklaratat që i ka bërë dikush tjetër dhe që e kanë involvu dhe jo unë dhe as mbrojtja ime. Ju faleminderit. Kaq pata, vetëm për sqarimin tuaj”, tha Shala.

Deklarata e Shalës erdhi pasi kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se prezenca e saj në këtë seancë është me kërkesën e mbrojtjes së Shalës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, mbrojtja ka kërkuar ndihmën e DhSK-së që të sigurojë prezencën e saj në këtë çështje gjyqësore.

Veldt-Foglia i tha dëshmitares së mbrojtja ka konsideruar që Safete Hadergjonaj mund të japë informacione të rëndësishme lidhur me veprat e pretenduara, si dhe këtë çështje gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Hadergjonaj e falënderoi gjyqtaren për sqarimin dhe i tha që iu është përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt. Pyetjet për Safete të ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtësi i viktimave Simon Laws.

Hadergjonaj dëshminë e saj e ka filluar të martën më 22 nëntor, ku deklaroi që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk ka qenë as motër medicinale dhe se nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e mjekut.

Po ashtu gjatë dëshmisë së saj dje, Hadergjonaj tha se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë luftë të pastër, duke e quajtur Specialen gjykatë qesharake. Madje, për aktakuzat e ngritura, ajo tha se janë të motivuara nga Serbia si dhe nga sajesat e Shërbimit Sekret Serb dhe dëshmitarëve të rrejshëm.

Ndërsa, për të akuzuarin Pjetër Shala, Hadergjonaj tha se emrin e tij dhe figurën e tij e ka parë vetëm atëherë kur është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Veç tjerash, ajo tha se edhe emri i saj është gjetur mbi një dëshmi të rrejshme pasi që nuk ka pasur farë të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

/TV Malisheva

Share.