Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka marrë vendim që të bëhet hetim zyrtar për importin e bllokave të importuar nga Serbia. Në vendimin të cilin e publikoi sot ministria, thuhet se gjetjet nga analizat preliminare tregojnë që importi i këtyre produkteve nga Serbia po shkakton dëme tek prodhuesit vendor, përmes çmimeve dumping ndaj industrisë se prodhuesve vendor të materialit ndërtimor nga argjila.
Në një konferencë për media, ministrja Hajdari tha se gjetjet tregojnë që bllokat e importuar nga Serbia po shiten më lirë në Kosovë sesa tregun e brendshëm të Serbisë.
“Pas shfuqizimit të masës mbrojtëse antidumping ne kemi realizuar takime me njëherë me shoqatën e prodhuesve të materialit ndërtimor me argjila dhe sipas ligjit, përkatësisht nenit 47 me datë 23 korrik, shoqata ka dorëzuar kërkesën për shqyrtim të masës mbrojtëse antidumping për bllokat standard me dimensione 19x19x25 të importuara nga Serbia. Pas pranimit të kërkesës kemi ndjekur edhe hapat e mëtejmë kjo krejt në harmoni me ligjin, departamenti i tregtisë i ka dërguar shoqatës pyetësorin për plotësimin e të dhënave mbi dyshimet për dumping. Me datën 2 gusht 2021 janë realizuar vizita te kompanitë e materialit ndërtimor që merren me shitjen e bllokave standard 19x19x25 ku kemi matur çmimet e shitjeve me pakicë për produktin e importuar nga Serbia. Me datën 4 gusht 2021 është mbajtur takimi me komisionin për vlerësimin e detyrimeve të veçanta dhe importe, me qëllim të informimit dhe të trajtimit të kërkesës së dorëzuar nga shoqata e prodhuesve të materialit ndërtimor me bazë argjilore ku janë analizuar hetimet preliminare të realizuara nga departamenti i tregtisë dhe kanë rekomanduar hapjen e hetimit. Në harmoni me këtë vlerësim unë dje me datë 9 gusht 2021, si ministre kam marr vendimin për hapjen e hetimit zyrtar për importin e bllokave nga Serbia”, tha ajo.
Ajo tha se shfuqizimi i masës fillimisht ishte obligim ligjor.
“Neni 46 paragrafi 2 thotë çdo detyrim përfundimtar antidumping apo kundër balancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij, si dhe sipas nenit 47 paragrafi 7, masat e vendosura në bazë të kësaj procedure te skadimit mund të zgjasin deri në pesë vjet. Prandaj duke i marr parasysh te gjitha këto veprime është shfuqizuar vendimi sepse në datën 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë pesë vite të zbatimit të kësaj mase. Pasojat e mosshfuqizimit çka do të ndodhte sikur te mos shfuqizonim ne këtë vendim vlen te theksohet se çdo vonesë në mos shfuqizim të masës së pari do të konsiderohej shkelje ligjore pastaj sipas nenit 51 rikthim i fondeve, çka do te thotë kjo, rimburësim, pra Qeveria e Kosovës do të kishte qenë e obliguar në rikthimin e fondeve”, tha ajo./TV Malisheva