Ish-ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari ka falënderuar ish-kryeministrin Kurti që i besoi një dikaster të rëndësishëm dhe për mundësinë e të vepruarit e pa ndikuar.

“Kam nderin që sot publikisht t’iu falënderoj për vlerësimin dhe besimin e dhënë, që unë të jem pjesë e kabinetit tuaj qeverisës, që solli shumë shpresë për qeverisje të mirë, me politika të shëndosha e gjithëpërfshirëse për zhvillim dhe integrim të vendit tonë. Nën udhëheqjen dhe qeverisjen e juaj të mirë i nderuar Kryeministër, pata mundësinë e të vepruarit të lirë dhe vendimmarrjes në nivel profesional, në të gjitha portfoliot që i drejtova në Ministrinë për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike (MEPTINIS)”, shkroi Hajdari.

Ajo tha se në secilën ditë, për katër muaj qeverisje, mori përkrahjen e plotë të Kurtit për politika dhe vendimmarrje gjithëpërfshirëse, me vlera profesionale në pah.

“Dhe kjo qeverisje e mirë, me vullnetin e juaj të pastër, për të rritur mirëqenien e çdo qytetari të Republikës sonë, është ndryshimi i vërtetë! Faleminderit Kryeministër Kurti”, vijoi Hajdari.

Në fund, ajo falënderoi edhe kolegët e kabinetit qeveritar për bashkëpunim duke thënë se së bashku morën vendime të mira dhe me shumë rezultate për pak muaj qeverisje./Tv Malisheva

Share.