Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka thënë se miratimi i Projektligjit për tregti me jashtë do të ndihmojë vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Por, kësaj radhe, ajo shtoi se do të jenë të kujdesshëm dhe se vendimi i tillë do të analizohet mirë për përgatitjen edhe të logjistikës.
Hajdari në debatin “Fol Hapur” të martën, tha se kanë filluar analizën për masat mbrojtëse nga importi nga Serbia.
“Ky ligj do të ndihmojë shumë në zbatimin e reciprocitetit dhe ndihem mirë që ky ligj është miratuar nga Qeveria dhe është leximi i dytë në Kuvend së shpejti. Pastaj, kemi Ligjin për masat mbrojtëse nga importi me të cilin jemi duke punuar. Shohim se aty kemi shumë importe sidomos nga Serbia, nëse është një shumë 40 për qind treg më shumë ne do të marrim masa. Pra, në bazë të dispozitave ligjore ne kemi filluar me analizën konditurike dhe janë edhe 11 produkte të tjera të cilat ne nuk do të ndëshkojmë kompaninë, por komplet eksporti nga Serbia do të ketë tarifën e cila vendoset sipas kuotës që do të kalkulojmë. Kjo ka afatin e gjatë me vite dhe nuk është një dokument reciprocitet një faqe, por një vendim me shumë vite që mbrojmë tregun tonë”, tha ajo.
Në serinë e debateve të Lëvizjes Fol, ministrja Hajdari tregoi arsyen e rritjes së çmimeve të produkteve bazike dhe veprimet që do t’i ndërmarrin.
“Këto rritjet e çmimeve janë për arsye të rritjes së inflacionit nga kriza botërore të COVID-19. Siç e dini 90 për qind e mallrave në Kosovë janë import dhe kryesisht janë konsumi familjar. Këto janë situatat që ne i kemi si vend importues, nuk mund t’i kontrollojmë çmimet kur ne jemi importues të 90 për qind të mallrave. Por çka mund të bëjmë është që ne të ndihmojmë konkurrencën e shtetit tonë që është autoriteti i konkurrencës që mos të lejoj kartelet e ndryshme të krijohet për rritjen për shembull të kafes. Brenda ditës rritet kafja në krejt qytetet njëjtë ose rritet vaji. Pra, t’i ndalojmë këto marrëveshjet e brendshme ndërmjet operatoreve ekonomik”, deklaroi Hajdari.
Ajo u shpreh e shqetësuar edhe me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.
‘Industria jonë vendore sfidohet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, sidomos në fushat e inxhinierisë, agroinxhinerisë, elektroinxhiner, inxhinier mekanik dhe po ashtu niveli 3 dhe katër të fushave të inxhinierisë, ky sektor është më pak i avancuar në Kosovë se sektorët tjerë që janë social. Ne jemi në koordinim me Ministrinë e Arsimit, po ashtu është në vëmendje të lartë edhe nga kryeministri Albin Kurti që të kemi sa më shumë përafrim të profileve sipas nevojave të tregut”, shtoi ajo.
Mes tjerash, ministrja Hajdari tha se gjatë Qeverisë Kurti është përmirësuar klima e të bërit biznes./TV Malisheva