Vit pas viti shumë persona kërkojnë ndihmë në Klinikën e Otrinolaringologjisë në QKUK pas gëlltitjes së trupave të huaj, të cilat më pastaj i shkaktojnë probleme shëndetësore, e shpesh herë vënë në rrezik edhe jetën e pacientëve.
Drejtori i Klinikës së ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajdin Thaçi, ka treguar se fëmijët janë më të rrezikuarit nga gëlltitja e trupave të huaj, por që edhe të moshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikë pas gëlltitjes të gjësendeve.
I ftuar në nje emision, Thaçi ka thënë se të moshuarit gëlltisin proteza të dhëmbëve e rrëmojëse.
“Moshat më të rrezikuara janë moshat pediaterike prej 0 deri në 3 vjet. Moshat tjera më të rritura janë më pak të rrezikuara. Zakonisht moshat më të rritura gëlltisin rrëmojëse, të vjetrit gëlltisin protezat e dhëmbëve të cilat janë lëvizëse, të cilat mund të bien në laring ose në rrugët e gëlltitjes”, ka thënë ai.
Ndërsa, ai ka thënë se fëmijët zakonisht gëlltisin kikirikë, fasule e arra, të cilat mund të mbyllin plotësisht rrugët e frymëmarrjes.
“Trupat e huaj organik janë ata që i takojnë formave ushqimore, ndërsa inorganik janë gozhda gjilpëra, monedha metalike. Ndërsa, kryesisht dominojnë trupat e huaj si kikiriki, farat e kungullit, arrat, kokrrat e fasules, të cilat mund të mbyllin rrugët e frymëmarrjes”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka thënë se rreth 50 raste të gëlltitjes së trupave të huaj kërkojnë ndihmë çdo vitë në Klinikën e ORL’së./TV Malisheva